Bota Pas takimit me Merkel, Haradinaj tërhiqet nga taksa ndaj Serbisë

Pas takimit me Merkel, Haradinaj tërhiqet nga taksa ndaj Serbisë

Angela Merkel e ka bindur Ramush Haradinajn që të tërhiqet nga qëndrimi i i heqjes së taksës 100 për qind ndaj mallrave serbe vetëm kur Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Në një deklaratë dhënë për mediat pas takimit me kancelaren gjermane, Kryeministri i Kosovës u shpreh i gatshëm që taksa të pezullohet, por këtë herë me një kusht më të lehtë për Beogradin. Kushti është nënshkrimi i një marrëveshjeje për rinisjen e bisedimeve. Marrëveshja në fjalë, sipas Haradinajt do të përcaktonte edhe temat që do të diskutoheshin në tryezë.

Haradinaj deklaroi gjithashtu se kishte marrë mbështetjen e Gjermanisë për liberalizimin e vizave dhe se Berlini ndante të njëjtin qëndrim me të sa i takon temës së ndryshimit të kufijve.

Kryeministri i Kosovës u shpreh se nuk ishte në dijeni të pjesëmarrjes së Hashim Thaçit në një forum sigurie në Sllovaki. Sllovakia është njëri prej pesë vendeve të BE-së që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës. Në këtë forum merrte pjesë edhe Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç. Vuçiç deklaroi se ishte i gatshëm për të negociuar, mjafton që taksa ndaj mallrave serbe të largohej sa më parë.