Kryesore “Pasaporta e imunitetit”, BE pro propozimit të Greqisë për lëvizjen e lirë...

“Pasaporta e imunitetit”, BE pro propozimit të Greqisë për lëvizjen e lirë të të vaksinuarve

Komisioni Europian është në favor të idesë së një certifikate vaksinimi kundër koronavirusit të ri, që duhet të njihet reciprokisht, deklaroi presidentja Ursula von der Leyen.

“Është domosdoshmëri mjekësore të kesh një certifikatë vaksinimi. Unë mirëpres iniciativën e kryeministrit grek Kyriakos Mitsotakis për një certifikatë vaksinimi të njohur reciprokisht”, deklaroi ajo në një intervistë me disa media portugeze, para vizitës së saj në Lisbonë.

Leyen shton se “ky është një vendim politik dhe juridik, i cili duhet të diskutohet në nivel europian”.

“Pasaporta e imunitetit”

Propozimi që Bashkimi Europian të rinisë udhëtimet transkufitare të ngrira nga pandemia u lëshua disa ditë më parë nga kryeministri grek. Kërkesa e tij vjen para sezonit veror, teksa turizmi mban një peshë të madhe të ekonomisë së shtetit helen. “Pasaporta e Imunitetit” që vërteton se një person është vaksinuar ndaj koronavirusit, do të përdoret edhe për lëvizjen brenda vendeve anëtare të BE-së me të gjitha mjetet e transportit.

Letra

Mitsotakis i dërgoi një letër presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen dhe të gjithë krerëve të shteteve dhe qeverive të BE, në të cilën përshkroi një propozim për një certifikatë standarde dixhitale të vaksinimit Covid-19.

Mitsotakis vuri në dukje se sigurimi i rivendosjes sa më të shpejtë të mundshme të lirisë së lëvizjes brenda BE, por edhe me vendet e treta “është, domosdoshmërisht, një përparësi themelore për të gjithë ne”.

Për këtë arsye, shtoi ai, Greqia ka lëvizur me shpejtësi dhe ka zbatuar procedura për të lehtësuar lëvizjen e njerëzve që janë vaksinuar kundër COVID-19.

Një hap i rëndësishëm në këtë drejtim, tha ai, ishte krijimi i një modeli standard se si të strukturohet një certifikatë e tillë, e cila do të provojë se personi specifik është vaksinuar me sukses, tha ai në letrën e tij.

Ai sqaroi se, ndërsa Greqia nuk ka ndërmend ta bëjë vaksinimin të detyrueshëm ose një parakusht për udhëtimin, por “personat që janë vaksinuar duhet të jenë të lirë të udhëtojnë”. Kjo, sipas kryeministrit grek, do t’i shtyjë më shumë qytetarët që të vaksinohen dhe e cilëson një metodë të dukur për kthimin e normalitetit.