Bota Pasardhësit e perandorit të fundit kërkojnë rikthimin e veprave të artit

Pasardhësit e perandorit të fundit kërkojnë rikthimin e veprave të artit

Pasardhësit e perandorit të fundit të Gjermanisë kërkojnë të rikuperojnë nga shteti gjerman mijëra objekte dhe vepra arti që kanë qenë pronë e  Hohenzollern, njoftoi të premten Ministria gjermane e Kulturës duke konfirmuar informacione të publikuara edhe nga e përditshmja “Der Spiegel”.

Negociatat mbi kërkesat për rikthim janë duke u zhvilluar prej shumë vitesh mes familjes Hohenzollern, qeverisë federale gjermane, qytetit të Berlinit dhe rajonit të Brandeburgut.

“Bisedimet synojnë që të gjejnë një zgjidhje të qëndrueshme për vepra të ndryshme dhe objekte koleksioni të vlerësuara në nivele të ndryshme nga institucionet publike nga njëra anë dhe familja Hohenzollern nga ana tjetër”, thuhet në këtë komunikatë të Ministrisë.

Sipas të përditshmes “Der Spiegel”, familja Hohenzollern kërkon rikthimin e mijëra pikturave, skulpturave, monedhave, librave dhe mobilieve, që u përkisnin deri në rënien e perandorisë dhe shpalljen e republikës në fund të Luftës së Parë Botërore.