Sport Pasdite magjike për debutuesin Mourinho, fiton derbin e Londrës

Pasdite magjike për debutuesin Mourinho, fiton derbin e Londrës

Përveç ndeshjes së parë të karrierës së tij si trajner, kur drejtonte Benfica-n në vitin 2000, Jose Mourinho nuk kishte humbur asnjëherë tjetër ndeshjet e para në drejtim të klubeve të tjera që ka drejtuar.

Kështu ndodhi edhe këtë herë, kur debutimi i tij në stolin e Tottenham (i teti duke llogaritur se ka drejtuar dy herë Chelsea-n) u shoqërua me një fitore 3-2 në derbin e “zjarrtë” kundër West Ham.

Portugezi e nisi menjëherë duke krijuar debate, pasi la në stol Christian Eriksen, por golat e Son, Lucas dhe Kane i dhanë të drejtë në fund. Antonio dhe Ogbona shkurtuan diferencën për West Ham, por në fund humbja ishte e pashmangshme për të zotët e shtëpisë.

Kjo ishte fitorja e parë për Spurs jashtë fushës së tyre në 12 takime. Si për ta bërë edhe më të veçantë ditën, goli i Harry Kane ishte i 175-ti me fanellën e Tottenham, çka e bën sulmuesin anglez shënuesin e tretë më të mirë në historinë e klubit, pas Jimmy Greaves (266 gola) dhe Bobby Smith (208).