Aktualitet Pastori: Motrat Josifi kanë përjetuar dramë të madhe

Pastori: Motrat Josifi kanë përjetuar dramë të madhe

Pastori Fitor Muça ka qenë një ndër personat që ka njohur më parë motrat Josifi dhe nënën e tyre Zhaneta, të cilat besonin tek ringjallja dhe i dhanë fund jetës duke mos u ushqyer dhe vetëflijuar.

I ftuar në emisonin “Opinion” ai ka treguar se vajzat kanë përjetuar një dramë të madhe, që ka qenë vetëflijimi i babait të tyre. Blerta ka qenë dëshmitare kur babai i saj u hodh nga ballkoni i pallatit përballë.

Pastori Fitor Muça: Për aq kohë sa i kam njohur në atë kohë ato dukeshin shumë normale. Ato ishin shumë vajza të mira dhe mesa di unë kanë kaluar trauma të mëdha. Blerta ka qenë dëshmitare e flijimit të babait të saj, ajo ka parë të atin të hidhet nga ballkoni i pallatit përballë tyre. Kjo dramë brenda tyre e mbajtur e fshehur në mënyrë tepër të veçantë, sa të mos ishte në gjendje të kuptoje që këto vajza kishin kaluar një tragjedi. Blerta ka thënë që ne kemi qenë deri në moshën 15-vjeçare dëshmitare të Jehovait dhe këtë gjë ma vërtetojnë edhe njerëz nga Përmeti, që po kanë qenë dëshmitare të Jehovait. Janë larguar nga dëshmitarët e Jehovait dhe kanë kaluar në Kishën Ungjillore që është në Përmet.

Blendi Fevziu: Cili është raporti mes dëshmitarëve të Jehovait dhe Kishës Ungjillore?

Pastori Fitor Muça: Raporti është si nata me ditën. Dëshmitarët e Jehovait nuk janë të krishterë sepse nuk pranojë trinitete, kështu që nuk janë pjesë e trungut të krishterë dhe ky është një dallim shumë i madh dhe brenda këtij dallimi pastaj fshihen dallime të tjera. Pasi erdhën në Tiranë ato kanë kërkuar që të jenë sërish pjesë e një Kishe Ungjillore në Tiranë. Kështu kanë bërë atë rolin e vizitorit si të gjithë ata që vijnë nga rrethet. Fillimisht shkojnë vizitojnë kisha të ndryshme. Kanë vizituar kishën tonë, kanë vizituar kisha të tjera Ungjillore. Pasi kanë mbaruar rikonicionin e kishave, janë kthyer përsëri dhe janë vendosur në Kishën Ungjillore Rilindja. Kjo ka ndodhur në fund të vitit 2009 fillimi i 2010.