Bota Pastrimi i Greqisë/ Pse shumë ambientalistë grekë kundërshtojnë mullinjtë e erës

Pastrimi i Greqisë/ Pse shumë ambientalistë grekë kundërshtojnë mullinjtë e erës

Një grup fabrikash që prodhojnë energji elektrike dhe që janë në pronësi të shtetit në Greqinë veriperëndimore prej dekadash të tëra ndotin fshatrat përreth duke i mbuluar ato me tym dhe gaz toksik, shkruan The Economist.

Fabrikat punojnë me linjit, një lloj qymyri në ngjyrë kafe, që nxirret në miniera dhe që u ka shkaktuar dëme të parikuperueshme fshatrave ku ato ndodhen. Studimet kanë treguar se komunitetet e minatorëve vuajnë nga nivele të larta të sëmundjeve të mushkërive dhe kancerit, megjithatë vendet e punës në sektorë të tjerë janë të pakta, sidomos në një rajon ku papunësia kronike është e lartë.

Ndryshimet mund të jenë në rrugë e sipër. Kyriakos Mitsotakis, kryeministri i ri i qendrës së djathtë, ka premtuar se do të mbyllë të 14 fabrikat me linjit që prodhojnë energji elektrike në Greqi deri në vitin 2024. (Një tjetër fabrikë linjiti që është aktualisht në ndërtim e sipër do të shndërrohet në një fabrikë, e cila do të punojë me gaz natyror.) Flotat e turbinave me erë dhe panelet diellore do të vendosen nëpër të gjitha zonat e rehabilituara të minierave.

Një prej objektivave kryesore të z. Mitsotakis është rritja e kredencialeve të gjelbra të Greqisë: aktualisht emetimet e saj vjetore të karbonit janë rreth 1/3 më të larta se ato të Portugalisë, një shtet anëtar i BE-së, me pothuajse të njëjtën madhësi si Greqia.

Pavarësisht se ky është një shtet i bekuar nga dielli në pjesën më të madhe të kohës dhe nga erërat e forta që fryjnë gjatë gjithë vitit në detin Egje, Greqia është ende shumë larg progresit në drejtim të gjenerimit të energjisë së pastër. Kjo është kryesisht për shkak të Korporatës Publike të Energjisë Elektrike (PPC), e cila vazhdon të prodhojë energji duke djegur linjit për të kursyer para, në vend që ta zëvendësojë këtë të fundit me gaz natyror dhe burime të rinovueshme.

Në vitin 2017, rreth 70% e shtëpive dhe bizneseve konsumuan energji elektrike që prodhohej në fabrikat shtetërore të linjitit. Këtë vit, kjo shifër mund të bjerë në 50%: furnitorë të vegjël privatë që drejtojnë fabrika me gaz natyror po tërheqin gjithnjë e më shumë klientë, sidomos pas rritjes së çmimit të energjisë elektrike. Kryeministri i ka vendosur vetes një objektiv jashtëzakonisht ambicioz: burimet e rinovueshme duhet të mbulojnë rreth 35% të nevojave të Greqisë për energji deri në vitin 2030. Kjo nënkupton njëkohësisht trefishimin e prodhimit të energjisë nëpërmjet erës dhe diellit, me një kosto prej rreth 40 miliardë eurosh (44 miliardë dollarësh amerikanë).

Këshilltarët parashikojnë një rritje investimesh të huaja: kompanitë kineze, amerikane, spanjolle dhe italiane tashmë zotërojnë instalacionet diellore dhe ato të erës dhe po marrin akoma më shumë licenca për të ndërtuar më shumë prej tyre. Çuditërisht, ata do të përballen me një kundërshtim të fortë nga lëvizja ambientaliste greke, e cila po bëhet gjithnjë e më aktive kohëve të fundit.

Duhen deri në shtatë vjet që të jepet një licencë për ndërtimin e një parku që do të prodhojë energji nëpërmjet erës, ndërkohë që shumë aplikime të mëparshme janë refuzuar nga gjyqtarët specialistë në Këshillin e Shtetit, organi më i lartë juridik i Greqisë. Mjedisi i Greqisë është “shumë i brishtë” për të mbështetur projekte të tilla të mëdha, shprehet Apostolos Pantelis, i cili është kundër planeve për ndërtimin e parqeve që do të prodhojnë energji nëpërmjet erës, sidomos në kreshtat malore në rajonin e largët të Agrafas, një zonë kjo shumë e pasur me arinj të murrmë dhe ujqër.

Por zona të tilla kanë shënuar gjithashtu edhe një rritje në numrin e vizitorëve, të cilët janë të pasionuar pas ecjeve të gjata në natyrë dhe që dëshirojnë të vizitojnë vende të tilla si Agrafa, kjo gjithashtu falë një sistemi të ri të suksesshëm të shënjimit të shtigjeve për në Greqinë kontinentale dhe ishujt e saj. Ata qëndrojnë në hotele të vogla, në fshatra pothuajse të braktisura, duke rritur kështu shpresat se vende të tilla mund të shndërrohen në destinacione turistike.

Z. Pantelis ka frikë se ndërtimi i parqeve me erë do ta shkatërronte Agafran. Ndërtimi i rrugëve të reja do të gërryente malet dhe turbinat e erës rreth 200 metra të larta do të trembnin të gjitha kafshët e egra që ndodhen këtu. Ai thotë se “njerëzit mendojnë se energjia e erës do të ishte e dobishme për turizmin. Por jo, ajo thjesht do të ndikojë negativisht te ai”.