Kryesore Pasuritë e paluajtshme, Tatimet: Ju tregojmë kohën se kur duhet të paguani...

Pasuritë e paluajtshme, Tatimet: Ju tregojmë kohën se kur duhet të paguani taksat

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, ka informuar rreth tematikës së furnizimit të shërbimeve që lidhen me një pasuri të paluajtshme.

Sipas DPT, Bazuar në dispozitat e ligjit Nr. 92/2014, datë 24.07.2014 “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, furnizimi i shërbimeve që lidhen me një pasuri të paluajtshme, janë të tatueshme në Shqipëri, nëse pasuria e paluajtshme ndodhet në Shqipëri.

Disa nga këto shërbime janë si më poshtë: shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliarë; furnizimi i strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë që kanë funksion të ngjashëm me të; dhënia e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme dhe shërbimet për përgatitjen dhe bashkërendimin e punimeve të ndërtimit; shërbimet e arkitektëve dhe ndërmarrjeve që mbikëqyrin zbatimin e punimeve.

Kujdes! Përveç truallit, i cili konsiderohet si një pjesë e përcaktuar e sipërfaqes së tokës, përbëjnë “pasuri të paluajtshme” ndërtimet e trupëzuara në tokë, përfshirë dhe pjesët mbështetëse të tyre (si për shembull kanalizimet, tubacionet, kabllot), kur ato nuk mund të çmontohen dhe as të zhvendosen me lehtësi.

Ligji parashikon shprehimisht shërbimet të cilat janë të tatueshme në vendin ku ndodhet pasuria e paluajtshme.

Si shërbime të një natyre të tillë përmenden: punimet e ndërtimit të çdo lloji; shërbimet e ekspertëve dhe agjentëve imobiliarë, si: shërbimet e vlerësimit të pasurive të paluajtshme; shërbimet e ndërmjetësimit në blerje, në shitje apo në qiradhënien e pasurive të paluajtshme nga agjentët imobiliarë; shërbimet për ndarjen apo kufizimin e pasurisë; furnizimi i strehimit në sektorin hotelier apo në sektorë të ngjashëm me të; dhënia e të drejtave të përdorimit të pasurive të paluajtshme ku përfshihen: qiradhëniet e pasurisë së paluajtshme për përdorim banimi, industrial, tregtar apo bujqësor; të drejtat e përdorimit të rrugëve të komunikacionit dhe veprave të artit; transferimet apo koncesionet e të drejtave të gjuetisë apo të peshkimit në një pjesë të përcaktuar të territorit; shërbimet e magazinimit, ruajtjes së përkohshme të mobilieve të zyrës e të tjera mjete; shërbimet për përgatitjen dhe bashkërendimin, supervizimin e punimeve të ndërtimit.