Politika Patozi fton Topallin në “një front të përbashkët kundër PD-PS-LSI”

Patozi fton Topallin në “një front të përbashkët kundër PD-PS-LSI”

Astrit Patozi dhe Bindja Demokratike i kanë shpallur tashmë kundërshtarët në garën e 25 prillit dhe ato janë PS e PD së bashku me LSI. Tashmë që fushata ka nisur dhe formacionet në betejë kanë filluar të skicohen, Patozi e ka të qartë rrugën drejt 25 prillit.

“Ne synojmë të jemi forcë përcaktuese qeverisëse dhe për këtë do të bëjmë gjithçka mundemi që ti drejtohemi sidomos shqiptarëve të lirë dhe të panagzhuar politikisht të cilët duhet të refuzojnë një model të shëmtuar politik që është kryetarokracia, e cila përfaqësuesit më të denjë ka PS në pushtet dhe PD e LSI në opozitë”, tha ai për “Vizion Plus”.

Beteja e parë kundër asaj që Patozi e cilëson kryetarokraci është hapja e plotë e listave, pavarësisht Kodit Zgjedhor.

“Ne kemi marrë një vendim, i cili është i panegociueshëm dhe është i paapelueshëm. Që do të thotë secili prej nesh që merr një votë më shumë se tjetri, merr mandatin, duke filluar nga unë i pari e deri tek kandidati i fundit”, deklaroi Patozi për gazetaren Olta Blaceri.

Duke përcaktuar si kundërshtare, PS nga njëra anë dhe PD e LSI në anën tjetër, ajo që Astrit Patozi synon është krijimi i një fronti opozitar, duke ftuar të gjitha partitë e reja përfshi edhe lëvizjen e Jozefina Topalli për të garuar me një liste të përbashkët në 25 prill.

“Sigurisht i takon asaj që të shpalosë vizionin e vet apo se si e mendon ajo dhe të tjerët që mund t’i bashkohen asaj lëvizje Shqipërinë e së nesërmes. Ajo që na takon ne është që ne i urojmë rrugë të mbarë, i urojmë mirëseardhjen në fushën e betejës elektorale të 25 prillit. Ne inkurajojmë çdo forcë të re e cila është për ndryshimin dhe sigurisht këtu bën pjesë edhe lëvizja e zonjës Topalli.”

Patozi ka një përgjigje për të gjithë ata që e akuzojnë atë dhe zonjën Topalli për lëvizet politike që ata sot drejtojnë.

“Nuk kam asnjë sekondë kohë për të humbur me një mendësi staliniste e cila për fat të keq mbizotëron tek ajo që ka mbetur në PD”.

Astrit Patozi e Jozefina Topalli nuk janë të vetmet figura të Partisë Demokratike, që do të garojnë në 25 prill, forcë të re ka krijuar Myslym Murrizi e të njëjtën gjë pritet të bëjë edhe Rudina Hajdari me nismën “Thurje”.