Politika Patozi pro zgjedhjeve: Meta priti të binte gongu, u tremb nga SHBA

Patozi pro zgjedhjeve: Meta priti të binte gongu, u tremb nga SHBA

Drejtuesi i partisë Bindja Demokratike Astrit Patozi e konsideron politik vendimin e presidentit Meta për të shtyrë zgjedhjet.

Sipas tij vendimi është ndikuar nga qëndrimi i Zëvendës Ndihmës-Sekretarit amerikan të shtetit Metju Palmer e pikërisht për këtë arsye mendon Patozi, zgjedhjet duhet të mbahen më 30 Qershor.

“Ne mendojmë se ky nuk mund të jetë një debat kushtetues. Po të kishte qenë i tillë Presidenti do e kishte ezauruar këtë përpara se të binte gongu i nisjes së fushatës, sepse ashtu i takonte që ta bënte. Ne mendoj se zgjedhjet janë një çështje shumë e rëndësishme dhe serioze me të cilat nuk mund të dalësh, nuk mund të luash.

Nuk mund tu thuash miliona shqiptarëve të përfshirë në fushatë, qoftë edhe duke parë pamjet që vijnë nga fushatat e partive garuese tu thuash që anulohet loja. Mendoj se nuk është çështje kushtetuese por është çështje thellësisht politike. Ne nuk kemi pse presim nesër për të lexuar argumentet e Presidentit për këtë çështje, sepse është një çështje e mirëfilltë politike.

E vetmja gjë që prishi qetësinë e ditës ishte intervista e zotit Palmer nga Uashingtoni, e cila mesa duket zgjoi edhe reagimin e Metës. Unë mendoj që për këtë arsye zgjedhjet janë mundësia më e mirë e mundshme dhe e vetme për Shqipërinë”, tha Patozi.