Kryesore “Patronazhistët”, Meta: Janë futur edhe te jeta intime e qytetarëve

“Patronazhistët”, Meta: Janë futur edhe te jeta intime e qytetarëve

Në një konferencë për mediat, të quajtur të jashtëzakonshme, Presidenti Ilir Meta kërkoi nga prokuroria të nisë menjëherë hetimet ndaj kryeministrit Edi Rama për vjedhjen e të dhënave personale të qytetarëve shqiptarë.

Meta u shpreh se spiunët janë futur edhe në jetën intime të qytetarëve dhe për këtë tha se do të publikojë prova.

“I ke caktuar shqiptarëve nga një spiun që t’u zbulojë atyre deri te jeta intime. Që ta dini mirë, do të ketë edhe prova në ditët e ardhshme.

I kanë diskriminuar nga raca, gjinia apo bindjet fetare. Janë vendosur lloj-lloj epitetesh. Kush do të mbajë përgjegjësi nëse të dhënat do të përdoren nga mafia kombëtare e ndërkombëtare. I ke hapur dyert krimit kibernetik dhe vjedhjes së identiteteve. Prokuroria të nisë hetimet ndaj Ramës. Iu drejtohem prokurorëve, të merrni në pyetje të gjithë patronazhistët tuaj që ju survejojnë”, tha Meta.

Meta deklaroi se përmes sistemit të patronazhit, mazhoranca ka marrë në survejim deputetë, biznesmenë dhe madje drejtues të prokurorisë, duke ndërhyrë dhe në jetën intime.

Ilir Meta shtoi se mes personave të marrë peng ka dhe njerëz të caktuar të opozitës për të bërë gjoja opozitë ndaj qeverisë.

“Është prekur ai kur i dolën fotot e veta dhe unë i dola në krah. Do ketë fakte sesi merren peng bizneset, njerëz të caktuar të opozitës për të bërë gjoja opozitë. Çdo ditë do të kemi ngjarje dhe ftoj trupin diplomatik për ta njohur me disa fakte. Mosveprimi i prokurorisë e ka mbajtur peng Shqipërinë si me rastet e Shijakut dhe Dibrës. Është diçka skandaloze, por unë shpresoj të reagoj. Ndaj do të kemi konferenca për shtyp çdo 2-3 orë”, tha presidenti.

Meta: Opozita merr 90 mandate. Komisionerët të japin jetën për votat

Presidenti Ilir Meta tha se opozita do të arrijë të marrë 90 mandate në zgjedhjet e 25 prillit, duke hedhur poshtë, sipas tij, sondazhet e bëra deri tani.

“Të gjitha sondazhet që kanë dalë deri tani janë të gjitha të blera nga Edi Rama. Opozita ka 90 mandate, po të dojë të shesë ndonjë, le ta bëjë. Nuk e fal Ilir Meta as këtë gjë. Do t’i drejtohet të gjithë popullit opozitar”, tha Presidenti në konferencë për mediat.

“Vlora do t’ia bëjë fora. Unë do të jem atje në numërimin e votave. Dhe do të verifikoj të gjithë komisionerët , të opozitës të paktën, sepse kanë detyrë të japin jetën për të mbrojtur votën e vlonjatëve. Dhe në të gjithë Shqipërinë. Prandaj larg duart nga zgjedhjet, nga jeta intime e qytetarëve shqiptarë”.