Opinione Pavarësia e Shqipërisë dhe çështja çame

Pavarësia e Shqipërisë dhe çështja çame

Shpërndaje

Nga Ervin Fetahu

“Fantashkenca supozon e ndoshta po mundëson ëndrrën e kahershme të njerëzimit, depërtimin në të shkuarën e ngjarjeve duke jetuar të tashmen….edhe pse duket paksa joreale, njeriu e paska seriozisht këtë tentativë. Novacionet e shpikjet e mëparshme i mbushin mendjen njeriut se mund t’ia dalë të ndërtojë një satelit eksplorues e zhbirilues në hapësirën yjore. Ky satelit nuk përngjan me satelitët e tjerë, është disi ndryshe, ai rrëket të thithi valë hapësinore duke tentuar të takoj yllin fotograf, pra e thënë ndryshe “Yllin memorizues”, i cili ka për funksion regjistrimin e së tashmes e cila kthehet në të shkuar, në të gjitha dimensionet. Ky yll ndodhet mijëra vite drite larg nesh, ai afron objektivin e me lehtësi të madhe regjistron në detaj. Madje edhe “NASA” bashkë me gjigandin “Google Earth” kur lëshojnë satelitët e tyre regjistrues në hapësirë, domosdo këtë yll do të kenë huazuar dhe kopjuar.

Ndoshta nuk do të jetë e largët dita kur ai të dëshmoj, po po….jam i bindur se një ditë e kaluara jonë do paraqitet si dëshmitare e asaj çka mendja e gjymtyrët tanë kanë vepruar,

do të na zëri rrugën e do të na thojë hej ti, hej ju…

shikoni me sytë tuaj njgjarjet e moteve të shkuar,

e bashkë me to do të rrefehen të vertetat…”

E nisa kështu jo më kot….

por dëshiroj të ndalem e të vlerësoj disi “Memorien” pa të cilën s’do kishim trashëgimi, e jo vetëm kaq, por ajo rivalizon gjithë shqisat tona të marra sëbashku. Madje si çdo gjë në këtë ruzull edhe ajo e ka një armik e antagonist të fortë, dualizon e ndeshet me të, e cila është “Harresa”.

Pra harresa dhe kujtesa janë armike të vjetra të përbetuara së njëra tjetrës, betejë e hershme sa vetë koha.

Madje në librin e shenjtë “Kuranin” njeriu etiketohet me cilësinë predominante të tij “Harrues”.

Porse rreziku qëndron gjetkë, nëse harron patjetër që edhe mohon. Kujtesa shpesh herë të zgjat jetën, ajo mundëson të jetosh në dy kohë, të ngacmon nostalgjitë e së kaluarës, por ama jo pak herë gërvisht plagë të zëna kore nga e shkuara. Mund të themi që të dyja sëbashku janë një mrekulli, lum ai që i menaxhon mirë.

Popujt e kombet e ndryshëm edhe pse e dinë fare mirë se harresa është veti njerëzore, kjo nuk i ka penguar të marrin masa e të kacavirren në trungun e kujtesës duke vjelë në degët e tij memorien histroike,

duke e shtrydhur fortë e fortë, e kështu lëngu i dalë prej saj shndërrohet në melhem, bëhet mësim e përvojë për të ardhmen.

Shqiptarët duke qenë qytetarë të kësaj bote, normalisht janë antarë të familjes madhe njerëzore, të ndarë në fise e fara, popuj e kombe, dhe kësisoj na takon dhe lind e drejta të kemi hisen dhe pozicionin tonë historik.

I bëj pyetja vetes, po ne shqiptarët deri në ç’masë po e shtrydhim frutin e memories…?!

Shekulli që po përcjellim, pra jo ai kalendarik por shekulli historik i joni, duket se mbajti mbi shpinë shumë vuajtje, sakrifica e dhimbje të mëdha, përpjekje e mundime, pse jo….edhe arritje, evenimente e ngjarje historike, ku vlen të veçojmë pavarësinë e Kosovës, realizimin e disa të drejtave të kufizuara tek shqiptarët e Malit të Z, Maqedonisë, e gjetkë.

Dhe ja tek jemi në jubileun e “106-vjetorit” të pavarësisë ku u vunë gurët e parë të themelimit të shtetit shqiptar. Pikërisht ky vit, ekzaktësisht ky muaj, kulmon ëndrrën e kahershme, sakrificën e burrave dhe grave të këtij vendi për të arritur ditën madhështore, pra “ 106 vjet shtet ”.

Fillimisht si shqiptar i Çamërisë, më takon t’ia uroj vetes sime këtë pavarësi,e më pas gjithë kombit tim. Mos të harrojmë se shumë popuj në botë kanë sakrifikuar dhe ende nuk kanë një shtet të tyren, ndaj ne si shqiptarë duhet të falenderojmë të madhin Zot, që bëri të mundur të kemi “shtëpizën tonë të vogël” por të madhe në shpirt, ku mblidhen gjithë shqiptarët anë e kënd, dhe kjo është “Shqipëria jonë”.

E si mund të mos përmendim rolin e shqiptarëve të Kosovës e Çamërisë, ku fronti i parë i betejave ishin këto dy treva martire ku ranë dëshmorët e parë të kësaj Shqipërie që gëzojmë sot. Pak më lart në mënyrë simbolike përmenda “shtëpizën tonë të vogël”, them kështu sepse shumë bukur mund të kishim shtëpinë e vërtetë shumë herë më të madhe, por si duket gërshërët e fqinjëve ishin goxha të mprehta dhe shqiponjës ia prenë krahët, por ata harruan se një ditë krahët do të rriteshin sërish.

Ç’kërkonin shqiptarët…?

ata kurrë nuk i hynë kujt në hak, normal që ata nuk kërkonin asgjë më shumë sesa hallallin që u takonte, atë që mijëra vjet u ka takuar.

U sakrifikuan trojet më të begata e më strategjike, e kështu ngeli “shtëpiza e vogël me zemër të madhe”.

Kjo ditë na bën disi më të fortë, jemi antarsuar në “N.A.T.O”, kandidat për në “BE”, rrëzuam komunizmin, edhe pse po luftojmë ende me pasojat e tij, e kështu me rradhë po kalojmë tranzicionin e stërgjatë.

Për një çast të meditojmë pak më thellë, do të shohim që rrugës na ka ngelur ende shumë obligime e detyra pa mbaruar, e nëse nuk i bëjmë ato, atëherë brezat pasonjës do hakmerren ndaj nesh,

ndoshta do të na harrojnë,

ndoshta do të na abandonojnë,

ndoshta mallkim i madhë do bjerë mbi ne…!

Në fund të fundit detyrat duhen ndarë, e më pas bashkëveprojnë të koordinuara, psh shqiptarët e Çamërisë festojnë këtë pavarësi të atdheut tyre në dy realitete…

Njëri sy i shndrin i qeshur nga gëzimi, teksa tjetri vajtonjës me ligje e brejtur me mall Çamërie.

Nuk jam astrolog e as parashikues, por numerologjia mesa duket paska goxha simbolikë, numri 100-të që mban mbi vete shekulli i kaluar, ndoshta i mori me vehte brengat tona, ku dimërat e acartë kthehen në pranvera, ku vatrat e marra peng kthehen tek t’zotët, të cilët janë flakur e dëbuar në shurdhërine dhe miopinë e atyre që medemek “drejtësi vendosin”.

Shekull i çuditshëm, ritmi i dhe dinamizmi i këtij 100-vjeçari ia ka kaluar mijëra viteve sëbashku, veçse shqiptarët e Çamërisë në planin individual kanë arritur disi të kapin kohën, por në planin e tyre historik kanë mbetur në periferi. Të gjitha zhvillimet e kaluara, për fat të keq i kanë pasur kundra, për mos mjaftuar me kaq, ata kanë trashëgojnë mbi shpinë kujtesën genocidiale e kriminale të forcave të errta greke të Napolon Zervës.

Treçereku i këtij shekulli e mbajti botën mbërthyer me dy luftra shkatërruese, krijoi drama e tragjedi, e fatkeqesisht la shumë pak hapësirë të viheshin në vend të drejtat e mungura e për pasojë po dëshmojmë 105 vjet mërguar e malluar,

me shpresën se patjetër do të ketë zgjidhje,

përderisa ka ZOT,

përderisa ka memorie,

përderisa ka ende lapës e letër,

e përderisa ka gen të fortë,

Zgjidhja është tek pragu i derës, pak nuhatje, pak durim dhe ne do t’a shohim veten protagonist të zgjidhjes.

Dikush, ndoshta me të drejtë mund të mendojë se drama juaj nuk mund të jetë e vetmja, qoftë brenda kombit shqiptar, qoftë edhe në kombe të tjerë, pra pse duhet ta përjetojmë e të ndihemi kaq të lenduar…?!

Sigurisht, nuk është hera e parë ku tokat shqiptare robërohen, ato kanë njohur pushtime e robërime prej Romakëve, Bizantinëve, Sllavëve, Venedikasve, Otomanëve etj, pse pikërisht duhet të ketë ndryshim dhe të jetë më e dhimbshme kjo robëri nga ato të mëparshmet….?!

S’do shumë mend të dashur miq, në pushtime ka vrasje, masakra, ka edhe grabitje e dhunime, por ama askush më parë nuk mundi t’a zbrazte Çamërinë nga popullësia e saj autoktone, askush nuk e zhbëri fisnikërinë, askush nuk prishi kultet,

askush nuk ndaloi të flitej shqip aty,

askush nuk arriti të pengonte kulturën, vallet dhe etnografinë tonë,

pra ne ishim kollona vertebrale e Çamërisë.

Nuk lejuam askënd të na nëpërkëmbte, e as kemi ndërmend të lejojmë shtetin “uzurpatoro-modern” grek. Nuk mund të shtyhet duke vazhduar akoma me pengmarrje, s’mund të zhurisi dot nderin tonë. Ky shekull shkoi e iku, fqinji ynë jugor po e kupton rëndësinë e një zgjidhje për çështjen çame e të transaksioneve tona ligjore e legale, këtë ia imponon vetiu koha, Greqia e sidomos veriu i saj ka vite që ka ngecur në një ngërç ekonomik, s’mund të ketë investime në tokat e tjetër kujt, ndaj të bëjmë thirje ty o Greqi, që vetè na ke njohur e na ke regjistruar si nënshtetasit e tu, bëhu realiste….mjaft më…me tokat tona nën sqetull…!

bëhu pak koherente, çdo gjë e ka një limit e një hark kohor, jemi në një diskurs të një rendi të ri botëror, i cili krijon mundësi e hapësira për rregulla e situata të reja gjeostrategjike, ku çdo 100-të vjet prodhohen e dalin personalitete që marrin popujt prej dore e u tregojnë atyre rrugët e së ardhmes. Sigurisht edhe për ne shqiptarët e Çamërisë do të ketë gjenerata të cilat do t’a drejtojnë këtë popullatë martire drejt destinacionit final, ndaj duhet të shpresojmë…! Pas rrebesheve qielli kthjellohet e dielli ndrin i bukur si dikur, pyetja shtrohet se si do tia dalim të rikthejmë atë që ky she na e rrëmbeu prej duarve e na la jetim në mes të udhëkryqeve të kohës. Shpresën e parë duket se na e dhuron koha, ajo na divorcoi nga ky shekull duke na përcjellë tek pasuesi i tij, që kurrësesi nuk do i ngjasoj pararendësit.

Ndodhur në realitete krejt të ndryshme, ku bota nuk i ka hasur më pare, në kriza monetare, ku xhepa e rripa konfliktesh ziejnë ngado, korridoret dhe rrugët ku kombi unë është i ngulur prej mijëra vjetësh, mundësojne një rol predominant në rajon, pra shqiptarët do rikonfigurohen edhe njëherë, dikur poseduesit e korridoreve ekonomike lindje-perëndim ishin princërit tanë fisnik, të cilët zotëronin toka dhe feude, dhe pasardhësit legal ekzistojnë ende.

Ne shqiptarët e Çamërisë kemi hipotekuar asetet tona në hapësirat ujore e tokësore të Epirit.

Shqiptarëve të Çamërisë u duhet rizgjuar disi nervi, nuk mund të jesh aktiv nëpërmjet boksit të televizionit apo celularit. Normal, kjo situatë sjellë disi konfuzion, por s’mund të jemi thjesht poseduesit e fjalëve të ngrohta, duhet ritëm e kurajo për sfidat që na presin. Mënyra e vetme e reformimit të kauzës tonë është unifikimi dhe dakordësia e mendimeve të pjekura, por edhe larmia e diversiteti i mendimeve dhe ideve nuk na bën dëm.

Po perse vallë, duhet një rizgjim dhe rifreskim, përse novojitet një subkoshiencë…?

Është fare e thjeshtë, fëmija nëse nuk qan…nëna nuk i jep të pijë,

bota e madhe nuk dëgjon nëse nuk e ngremë zërin, të drejtat nëse nuk kërkohen ato nuk realizohen, e për pasojë vdesin kauzat e bashkë me t’zotët e tyre. Ndaj të gjithë e kemi për obligim të punojmë në mënyra të ndryshme, pa interferuar, mjafton t’i japim shtysë kauzës sonë.

Përzemërsisht i uroj shqiptarëve të Çamërisë dhe gjithë shqiptarëve kudo qofshin,

Gëzuar 106-të vjetorin e pavarësisë…!