Kryesore PD bën gati dosjen, kërkon përsëritje të votimit për 9 qarqe

PD bën gati dosjen, kërkon përsëritje të votimit për 9 qarqe

Partia Demokratike pritet të dorëzojë të dielën pranë Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve kërkesën për shpallje të pavlefshme të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit për 9 qarqe në vend.

PD nuk ka pretendime për manipulim të votës për vetëm tre qarqet Shkodër, Dibër dhe Lezhë. Ndërsa për 9 qarqet e tjera; Kukës, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, PD kërkon që të ketë rivotim.

Sipas fakteve dhe provave që PD ka mbledhur në terren mbi parregullsitë, mazhoranca ka përdorur asetet e shtetit për të manipuluar rezultatin e 25 prillit.

Kërkesa e PD-së nuk bën fjalë për hapje të kutive apo rinumërim të votave, po shpallje të pavlefshme të rezultatit për këto 9 qarqe pasi sipas tyre provohet se procesi zgjedhor nuk ka qenë i drejt dhe vullneti është deformuar.

LSI kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Gjirokastër

Ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që zgjedhjet e 25 prillit të shpallen të pavlefshme për qarkun e Gjirokastrës.

LSI e ka dërguar ankimin në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ku kërkon shpalljen të pavlefshme të zgjedhjeve në Bashkinë Dropull, dhe duke qenë se kjo ndikon në rezultatin total dhe ndarjen e mandateve në të gjithë qarkun, të shpallen të pavlefshme për të gjithë qarkun.

LSI pretendon se vendimi për të futur në karantinë të detyruar dyjavore të gjithë personat që hynin në Shqipëri, ka penguar të drejtën e tyre kushtetuese për të votuar. Për më tepër, LSI pretendon se karantinimi i detyruar është zbatuar ende pa u botuar në Fletoren Zyrtare vendimi i Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Vendimi, sipas LSI është marrë më datë 19 prill, por është botuar në Fletoren Zyrtare me 21 prill.

Lëvizja Vetëvendosje kërkon rivotim në qarkun e Tiranës

Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, ka kërkuar rivotim për të gjithë qarkun e Tiranës, për shkak se sipas tyre, janë bërë shkelje ligjore nga komisionet e qendrave të numërimit gjatë procesit të numërimit të votave.

Gjithashtu, Lëvizja Vetëvendosje po përgatit një ankesë të cilën do e dorëzojë të hënën në KQZ / KAS. Lajmin e bëri të ditur Boiken Abazi, i cili kandidoi për qarkun e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit.

Shpallja e rezultatit përfundimtar

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në rezultatin paraprak për 25 prillit i jep Partisë Socialiste 74 mandate, PD 59 mandate, LSI 4 mandate dhe PSD 3 mandate.

Ankimimi i PD në KAS do të bëjë automatikisht që KQZ të shtyjë me të paktën 20 ditë shpalljen e rezultatit përfundimtar të rezultatit për zgjedhjet e 25 prillit.