Politika PD, kërkesë KQZ: Kemi të dhëna për parregullsi gjatë procesit, duam pamjet...

PD, kërkesë KQZ: Kemi të dhëna për parregullsi gjatë procesit, duam pamjet filmike të KZAZ-ve

Partia Demokratike i ka bërë kërkesë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vënien në dispozicion të të dhënave teknologjike, pra pamjet e filmike të KZAZ-ve në zgjedhjet e 25 Prillit.

Në një letër të nënshkruar nga sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso, thuhet se PD-ja ka grumbulluar dhe po grumbullon të dhëna lidhur me parregullsi në procesin zgjedhor, sidomos gjatë fazës së numërimit.

“Partia Demokratike nëpërmjet komisionerëve, numëruesve dhe vëzhguesve të saj në terren ka grumbulluar dhe është duke grumbulluar të dhëna lidhur me parregullsi të rënda në procesin zgjedhor, veçanërisht gjatë fazës së numërimit. Prandaj, në cilësinë e subjektit të regjistruar në zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit, nëpërmjet përfaqësuesit të saj, Partia Demokratike kërkon t’i vihen në dispozicion në një kohë sa më të shpejtë të dhënat teknologjike si më poshtë:

Pamjet filmike të çdo QV/KZAZ

Pamjet filmike të kamerave regjistruese të fletëve të votimit të çdo KZAZ

Të dhënat e grumbulluara nga pajisjet e identifikimit elektronik për çdo QV/KZAZ

Të dhënat e kryqëzuara ndërmjet pajisjeve të identifikimit elektronik dhe listave të zgjedhësve të nënshkruar mekanisht”, thuhet në kërkesën e PD-së.