Politika PD kërkon hetimin e pasurive të Pjetrit: Të zbatohet ligji Antimafia

PD kërkon hetimin e pasurive të Pjetrit: Të zbatohet ligji Antimafia

Një ditë pasi Lulzim Basha akuzoi Prokurorinë se është vënë në shërbim politik të kryeministrit Edi Rama për rastin e Valdrin Pjetrit, Partia Demokratike kërkoi nga organi i akuzës që të nisë menjëherë hetim pasuror për kryebashkiakun e ri të Shkodrës dhe familjes së tij.

Opozita thotë se Pjetri është subjekt i ligjit Antimafia, pasi pasuria e tij është vënë nga aktiviteti i trafikut të drogës.

“Pse nuk vepron Ligji Antimafia ndaj pasurive të drogës së Valdrin Pjetrit? Pse i besuari i tij në Shkodër ka imunitet mbi ligjin? Pse nuk vepron prokuroria? Pse Operacioni “Forca e Ligjit”, që duhej të sekuestronte pasuritë e paligjshme, është shndërruar në operacionin “Forca e krimit”?

Përgjigjet e këtyre pyetjeve lidhen drejtpërsëdrejti me planin e Edi Ramës për të përdorur trafikantin e drogës derisa, në mënyrë të paligjshme, të marrë drejtimin e Bashkisë së Shkodrës. Është ky skenar pse trafikanti i drogës Valdrin Pjetri ndalohet të japë dorëheqjen para betimit, pse prokuroria po e zvarrit verifikimin, pse ligji Antimafia nuk vepron”, tha Çlirim Gjata.

Partia Demokratike paralajmëroi se të premten do të informojë zyrtarisht Prokurorinë e Krimeve të Rënda për faktet që rëndojnë mbi Pjetrin.