Politika PD: Ky është bos i radhës i krimit që po përgatitet të...

PD: Ky është bos i radhës i krimit që po përgatitet të lirohet

Për Partinë Demokratike, lirimi i disa prej të burgosurve të rrezikshëm është dëshmia e rëndë e bashkëqeverisjes së kryeministrit Edi Rama me krimin.

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi, deklaroi sot se lirimi i Lulzim Berishës, Endrit Dokles, Genc Tafilit, Ilir Pajës apo Viktor Ymerit është bërë në dijeni të kryeministrit Rama. Madje sipas Bardhit, liria vjen si shpërblim i marrëveshjes për bashkëqeverisje me krimin e organizuar.

“Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës. Shkarkimi i drejtorëve, procedimet e gjyqtarëve apo prokurorëve nuk e zhbëjnë dot faktin se bosët e krimit të organizuar janë jashtë burgut. Lulzim Berisha, Endrit Dokle, Genc Tafili, Ilir Paja, Viktor Ymeri jo vetëm janë jashtë burgut, por kanë dalë me garanci shtetërore, duke u siguruar vende pune. Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar”.

Bardhi komentoi edhe deklaratën e Ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj këtë të premte. Ai tha se ky akt i saj është i përsëritur.

Sipas Bardhit, Gjonaj nuk reagon para se të merret vendimi, edhe pse ajo është në dijeni për të paraprakisht, por gjithmonë një javë pas lirimit. Bardhi tha se një tjetër sipas tij, bos i krimit të organizuar, po përgatitet të lirohet.

“Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos? Pse nuk e informojnë opinionin publik se janë në dijeni të plotë që po përgatitet edhe lirimi i bosit të krimit të organizuar Arben Grori”?