Politika PD merr në mbrojtje prokuroren Rovena Gashi: E hoqi Rama si hakmarrje...

PD merr në mbrojtje prokuroren Rovena Gashi: E hoqi Rama si hakmarrje për Aqif Rakipin

Partia Demokratike ka marrë sot në mbrojtje prokuroren Rovena Gashi.

Kjo e fundit u shkarkua sot nga kryeprokurorja Arta Marku si drejtoreshës e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë në Prokurori, në përbërje të së cilës është edhe Sektori për “Verifikimin e integritetit të zyrtarëve”.

Gashi u caktua prokurore pranë Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Por PD për këtë lëvizje akuzon kryeministrin Rama.

Sipas selisë blu,  lëvizja e Gashit vjen pasi prokurorja i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi.

Deklarata e PD:

Kapja politike e Prokurorit të Përgjithshëm nga Edi Rama, pasi kthimit të pasaportës për Saimir Tahirin, dha sot një tjetër efekt.

Kryeprokurori Edi Rama shkarkoi drejtuesen e Sektorit të Dekriminalizimit në Prokurorinë e Përgjithshme, Rovena Gashi, dy ditë pasi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit, zonja Gashi i kërkoi Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ndërprerjen e mandatit për deputetin e Elbasanit, Aqif Rakipi.

Shkarkimi i prokurores Rovena Gashi, e cila e drejtoi Sektorin e Dekriminalizimit që në krijimin e tij, është hakmarrje direkte e Edi Ramës për llogari të aleatit dhe mikut të tij, Aqif Rakipi.

10 ditë pas emërimit politik të Prokurorit të Përgjithshëm, në shkelje të hapur me Kushtetutën, u faktua mashtrimi i madh i Edi Ramës, argumenti kryesor i të cilit ishte se Prokurori i Përkohshëm nuk kishte asnjë kompetencë thelbësore për të lëvizur prokurorët apo për të ndikuar në mbylljen e dosjeve.

Skema e Edi Ramës në mbrojtje të aleatëve të tij kriminelë është e qartë.

Kur drejtësia  kërkon arrestimin e Saimir Tahirit,  Edi Rama e kap drejtësinë, kur ligji zbatohet për të larguar kriminelët  nga parlamenti, Edi Rama godet ata që zbatojnë ligjin.

Që sot, me shkarkimin e prokurores Rovena Gashi si hakmarrje për Aqif Rakipin, krimi ka filluar të godasë shtetin përmes shtetit!