Politika Basha kërkon përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie

Basha kërkon përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë dhe kryetarë bashkie

Pas arritjes së marrëveshjes për reformën zgjedhore, Partia Demokratike ka nisur përgatitjet e saj për zgjedhjet e ardhshme. Kryedemokrati Lulzim Basha, i propozoi sot kryesisë nisjen e procesit të përzgjedhjes, konsultimit dhe seleksionimit të kandidaturave për zgjedhjet parlamentare dhe vendore.

Siç njofton zyra për shtyp e selisë blu, vendimi i Lulzim Bashës është një risi për politikën shqiptare, pasi për herë të parë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie do të kenë votën e anëtarësisë së Partisë Demokratike.

“Përfshirja e anëtarësisë në përzgjedhjen e kandidatëve politikë të PD është një detyrim që u përfshi në statutin e PD me kërkesë të kreut të opozitës, si konkretizim i premtimit të tij se ai nuk do të bënte më kurrë i vetëm listën e kandidatëve për deputetë apo për kryetarë bashkie”, njofton zyra e shtypit.

Partia Demokratike duket e vendosur të zbatojë parimin “një anëtar, një votë” për përzgjedhjen e kandidatëve për deputetë.

Sipas selisë blu, ky proces pritet të nisë nga 20 qershori deri në 15 shtator, duke e mbajtur të angazhuar në maksimum bazën e Partisë Demokratike.