Politika PD nxjerr raportin e KLSH: SPAK të hetojë pa vonesë kontratën e...

PD nxjerr raportin e KLSH: SPAK të hetojë pa vonesë kontratën e incineratorit të Tiranës

Ish-deputetja e PD-së, Jorida Tabaku në një deklaratë i kërkon SPAK të hetojë kontratën e incineratorit të Tiranës.

Duke iu referuar raportit të KLSH-së Tabaku tha se, “se kontrata për incineratorin e Tiranës ia kalon të gjithë rrezikun taksapaguesit shqiptar. KLSH thekson se tejkalimi i sasisë së plehrave vendos në rrezik Buxhetin e Shtetit për pagesat, si dhe rrit fitimet e koncesionarit në mënyrë të pakufizuar. Këto pagesa më të larta, për shkak të sasive më të larta të mbetjeve, përkthehen në fitime marramendëse për koncesionarin në parajsë fiskale. Është ky përcaktim korruptiv në kontratë, kundër interesit publik, që ka sjellë rritjen e pagesave për incineratorin nga buxheti i shtetit, nga 7 milionë euro në fillim, në 11 milionë euro”.

Gjithashtu Tabaku thekson se, “Ministria e Financave, e drejtuar nga Arben Ahmetaj, ka bërë çdo veprim që favorizon incineratorin e Tiranës kundër interesit publik. Ministria e Financave ka anashkaluar tavanet buxhetore, që duhen ruajtur ruajtur me ligj, duke çuar paratë lumë dhe pa kufizime tek biznesi i mafias së plehrave. Sipas KLSH-së, më shumë se 61 milionë euro kosto të paraqitura në studimin e fizibilitetit janë të paargumentuara, duke çuar në rritjen artificiale të tarifës së shërbimit”.

Kjo do të thotë se çmimi prej 29 euro për çdo ton mbetje që sot paguajnë qytetarët e Tiranës është pasojë e një kontrate korruptive, e hartuar për të vjedhur miliona euro çdo vit”, tha Tabaku.

“Është në nderin e SPAK të bëjë tani transparencë, hetojë pa asnjë vonesë dhe në pavarësi të plotë aferën korruptive më flagrante të qeverisë”, përfundoi ajo.