Partia Demokratike ka prezantuar alternativën e saj ekonomike këtë të premte në një takim me të gjitha shoqatat e bizneseve.
Në fjalën e tij, Kreu i PD, Lulzim Basha tha se vendi është në një krizë të trefishtë ekonomike.
Ai tha se “shqiptarët kanë humbur shpresën, qindra mijëra kanë braktisur vendin, të tjerë po bëjnë përpjekje për ta braktisu; Sipërmarrja e vogël, e mesme apo e madhe ka humbur mundësitë për zhvillim, për shkak të pushtimit të tregut nga oligarkia e lidhur me Edi Ramën”.
Theks të veçantë vendosi edhe mbi Investimet e huaja, të cilat sipas tij janë në rënie pikiatë pas mbarimit të disa projekteve të mëdha, të trashëguara nga qeverisja demokrate.
Basha tha se për Biznesin e Vogël, brenda 100 ditëve të para do të realizohet “rritja e kufirit të regjistrimit për TVSH nga 2 milionë lekë xhiro vjetore në 14 milionë lekë ose 140 mijë dollarë dhe uljen e kontributit të sigurimeve shoqërore nga rreth 24% në 18% për të vetëpunësuarit, ndërsa për të punësuarit 9%.”
Ndërsa lidhur me Biznesin e Madh, ai tha se do të realizojë uljen e çmimit të energjisë, taksë 9 % dhe rimbursim rekord të TVSH-së. “Taksa “Rama”për karburantet, prej rreth 30 lekë/litër do të shfuqizohet menjëherë. Kjo nismë do të ndjehet si nga biznesi i madh, ashtu edhe ai i vogël”, tha Basha.
Kreu i opozitës paralajmëroi institucionet financiare të mos mbështesin atë që e quajti piramidën e re financiare 1,5 miliardë dollarëshe që po vë Rama në zbatim. Ai tha se së pari, sistemi ekonomik duhet çliruar nga zaptimi i trefishtë i tregut: Krimi, Oligarkia dhe Burokracia.
“Oligarkia meriton të njëjtën luftë si krimi. Ajo vjedh e grabit të sotmen dhe të ardhmen, njësoj si krimi. Një grusht kompanish të oligarkëve dhe rrjetit të tyre fitojnë thuajse të gjithë tenderët shtetërorë, kontratat PPP, lejet e licensat, me çmime super favorizuese për ta, me fonde limite qe i caktojnë vetë dhe i fitojnë vetë. Grabitje e financave publike, rritje e borxhit për çdo shqiptar. Oligarkia, në bashkëpunim me regjimin e Edi Ramës, po rrënon biznesin e vogël e të mesëm dhe po dekurajon edhe biznesin e madh, që nuk është pjesë e tepsisë së pushtetit.”
Basha tha se PD ka shpallur edhe platformën për shkatërrimin e “sistemit oligarkik”.
“Asnjë kontratë, leje a licencë e fituar në mënyrë abuzive nuk do të mbetet në fuqi. Çdo pasuri e vënë abuzivisht do të hetohet me barrën e provës të ligjshmërisë mbi oligarkët e nëse gjendet në keqbërje ndaj popullit e vendit, do të konfiskohet. Kemi sinjale që 1,5 miliardë dollarë kontrata korruptive do të hidhen në treg këtë vit. E paralajmëroj sistemin bankar dhe institucionet financiare të mos bëhet pjesë e kësaj piramide nëse nuk duan që kjo piramidë t’i marrë me vete.”