Politika PD publikon dokumentin për parregullsitë në zgjedhje: 19 persona në Berat votuan...

PD publikon dokumentin për parregullsitë në zgjedhje: 19 persona në Berat votuan 53 herë

Partia Demokratike ka publikuar një dokument ku fakton parregullsitë në zgjedhjet e 25 prillit në qarkun e Beratit. Sipas dokumentit të shpërndarë për mediat rezulton se 19 persona kanë votuar 53 herë në Berat.

“Kryqëzimi i të dhënave të shenjave të gishtave ka faktuar votimin e parregullt në qarkun e Beratit. 19 persona kanë votuar 53 herë, mes të cilëve 2 persona kanë votuar 2 herë. Kjo e dhënë është shumë e rëndësishme, sepse verifikon që persona të ndryshëm kanë mashtruar duke votuar në emrin e personave të tjerë. Në Qarkun e Beratit diferenca për mandatin e pestë të PS dhe mandatit të LSI është vetëm 77 vota”, thekson PD.

Sipas selisë blu, ky dokument është pranuar nga KAS dhe nxjerr në pah parregullsitë proceduriale të procesit të votimit, ndërsa e akuzon KAS se po pengon transparencën e zgjedhjeve.

“Ky dokument u pranua të merret nga KAS dhe nxjerr në pah parregullsitë proceduriale të procesit të votimit. PD theksoi se nëse KAS do të kishte pranuar të kërkonte edhe prova të tjera për blerjen e votës mes legalizimeve, punësimeve, përdorimit të shtetit për përfitim elektoral, masakra zgjedhore do të ishte shfaqur e plotë para shqiptarëve. PD akuzon KAS se po pengon transparencën e zgjedhjeve”, thuhet në njoftimin e PD.