Kryesore PD shpall armik ish-ministrin e vet: Bode, përfaqësues i Ramës

PD shpall armik ish-ministrin e vet: Bode, përfaqësues i Ramës

Partia Demokratike ka akuzuar mazhorancën këtë të premte se po përpiqet të kapë edhe Bordin e Bankës së Shqipërisë.

Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho, tha se ish-ministri demokrat Ritvan Bode, nuk është përfaqësues i opozitës, por i Edi Ramës.

Ne nuk pranojmë që kandidaturat që duhet të propozojë PD t’i propozojë mazhoranca. Ritvan Bode nuk është përfaqësues i PD, por është i Edi Ramës. Dje në seancë ju ngritëm këtë çështje, nga kryetari i PD, që nuk pranojmë që përfaqësuesit që duhet të propozojmë ne në institucione t’i caktoni ju. Prandaj e kundërshtojmë praktikën tuaj, votimin që keni bërë dje dhe që doni të bëni sot. Trego një dokument komunikimi që ke bërë me PD për këtë çështje, para se të thuash se i ke ndjekur të gjitha rrugës.

Spaho kundërshtoi edhe mënyrën e propozimit të kandidatëve për anëtarë të Bordit të Bankës së Shqipërisë. “Rastet i ke të qarta, nuk kalojnë 3 kandidatura të Kuvendit me 28 firma. Kalojnë çdo kandidat me 28 firma.

Spaho sfidoi Ballën duke i thënë se nëse gjen një praktikë të mëparshme në Kuvend kur 3 kandidatë propozohen nga vetëm 28 deputetë, atëherë ai do të tërhiqej nga kundërshtimi i tij.

Përveç zgjedhjes së anëtarëve të Bordit të Bankës së Shqipërisë, Kuvendi po diskuton në seancën e sotme plenare edhe vettingun në politikë.