Politika PD: Shqipëria, parajsë për pastrimin e parave të pista

PD: Shqipëria, parajsë për pastrimin e parave të pista

Partia Demokratike me anë të ish-deputetit Enkelejd Alibeaj, ka hedhur akuza kundër qeverisë, duke thënë se kjo e fundit po bashkëpunon me krimin. Në një deklaratë nga selia blu, Alibeaj tha se “paraja e pistë po mbyt biznesin e ndershëm dhe shtresën e mesme”.

Më tej ish-deputeti u shpreh se “projekti politik i Edi Ramës për të bashkëqeverisur me krimin e organizuar e ka shndërruar Shqipërinë në parajsën e pastrimit të parave të pista nga trafiku i drogës dhe nga korrupsioni në çdo nivel të qeverisjes”.

Alibeaj tha se imazhi i Shqipërisë është ai i një vendi ku lehtësisht mund të investohen dhe të pastrohen paratë e aktivitetit kriminal. “Ky nuk është një konkluzion i Partisë Demokratike, por është gjetje konstante e Departamentit Amerikan të Shtetit”, shtoi ish-ligjvënësi.

Në deklaratën e tij ai drejtoi disa pyetje për qeverinë. “Cili është reagimi i qeverisë në ikje të Edi Ramës? A po e lufton qeveria fenomenin e pastrimit të parave, i cili ndikon drejtpërsëdrejti në rrënimin e biznesit të ndershëm, apo që zhvlerëson kursimet e shtresës së mesme me çmime stratosferike artificiale?”, pyeti Alibeaj.

Në fund ai ka thënë se PD ka një plan për të luftuar paranë e krimit. “Plani ynë “Ndiq paranë” do të jetë një instrument i fortë që në Shqipëri të sundojë ligji, puna e ndersh, në mënyrë që paratë e krimit dhe të korrupsionit qeveritar të mos i zënë frymën ekonomisë së familjeve shqiptare”, përfundoi deputeti i Partisë Demokratike.