Politika PD: Thirrja e policisë, qesharake

PD: Thirrja e policisë, qesharake

Partia Demokratike ka reaguar ashpër të premten pas thirrjes së policisë ndaj organizatorëve për t’u distancuar nga zërat që inkurajojnë dhunë në protestën e 16 Shkurtit.

Policia e Shtetit tha se ka administruar edhe informacione se persona të caktuar, me rekorde kriminale apo të dënuar më parë për vepra të rënda penale, janë përgatitur për të ushtruar dhunë në protestë, por PD siguroi me ironi se “në protestë nuk do të jenë Rama, Dako, Tahiri, Ndoka, Prenga, Frroku, Bushi, Bardhi, dhe as Roshi, Çyrbja, Xhafaj e Gjiknuri”.

“Thirrjet e policisë që ne të distancohemi nga ata që inkurajojnë dhunë apo nga persona me rekorde të rënda kriminale janë sa qesharake aq edhe kriminale”, tha Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, në një  dalje për mediat nga selia blu.

“Partia Demokratike nuk ka nxitur kurrë dhunë dhe as nuk ka patur në radhët e saj njerëz të krimit! Persona me rekorde të rënda kriminale nuk janë mes nesh, nuk janë mes protestuesve, por janë në qeveri dhe me qeverinë.”

Bardhi tha se Kryeministri Rama po përgatit një antimiting në Vlorë.

“Rama dhe Damian Gjiknuri do të jenë në Vlorë, në një antimiting, ku administrata është detyruar forcërisht të marrë pjesë”, tha Bardhi duke shtuar se “ka një person të lidhur me krimin, që është i interesuar dhe i përgatitur për të ushtruar dhunë. Ai quhet Edi Rama”.