Kryesore PE: Çdo modifikim pa konsensus i marrëveshjes së 5 qershorit mund të...

PE: Çdo modifikim pa konsensus i marrëveshjes së 5 qershorit mund të vërë në rrezik negociatat

Tre deputetë të Parlamentit Europian përmes një deklarate zyrtare, i bënë thirrje parlamentit shqiptar që të miratojë sa më shpejt marrëveshjen e 5 qershorit mbi Reformën Zgjedhore.

Deklarata e kreut të Komisionit për Punët e Jashtme, David McAllister, i grupit të Partive Popullore Europiane, raportueses për Shqipërinë Isabel Santos (e grupit social demokrat) dhe kreut të Delegacionit të Parlamentit Europian për Shqipërinë Manolis Kefalogiannis (i grupit të PPE) thotë:

“Presim që shumica parlamentare të miratojë ndryshimet e nevojshme pa minuar konsensusin e arritur mes qeverisë dhe opozitës më 5 qershor. Çdo modifikim i marrëveshjes pa arritur konsensusin e të gjitha partive politike mund të vërë në rrezik mbledhjen e konferencës së parë për negociatat dhe, si pasojë, të ngadalësojë procesin e integrimit europian.

Çdo shtet është i lirë të caktojë dhe përmirësojë sistemin e tij zgjedhor sipas kontekstit dhe konsensusit kombëtar. Sidoqoftë, praktikat më të mira ndërkombëtare rekomandojnë se çdo ndryshim në sistemin zgjedhor duhet të bëhet në mënyrë transparente, duke nisur të paktën një vit para zgjedhjeve të ardhshme të planifikuara. Besojmë se Shqipëria do të respektojë këto rekomandime dhe do të punojë më tej drejt arritjes së rezultateve të qëndrueshme në fushën e reformave kyçe.

Parlamenti Europian është i përkushtuar të mbështesë Shqipërinë në rrugën e integrimit europian dhe është gati të punojë me parlamentin e Shqipërisë për lehtësimin e dialogut dhe ndërtimin e konsensusit sa i përket reformave kyçe në fushën e demokracisë, sundimit të ligjit dhe llogaridhënies, që janë të nevojshme për të ardhmen europiane të vendit”.