Kryesore Pedagogët “thyejnë” bojkotin: Nga e hëna rinis mësimi te Filologjiku, protesta vetëm...

Pedagogët “thyejnë” bojkotin: Nga e hëna rinis mësimi te Filologjiku, protesta vetëm një ditë në javë

Pedagogët e Fakultetit Histori Filologji i kanë dhënë fund grevës.

Asambleja e pedagogëve e mbledhur paraditen e sotme me urgjencë, ka vendosur të vijojë protestën në një formë tjetër dhe jo përmes grevës.

Vendimet e Asamblesë i njoftoi dekani i Filologjikut, Sabri Laçi gjatë një prononcimi për mediat i cili u shpreh se kjo javë do mbyllet në protestë dhe pa mësim, ndërsa nga java e ardhshme do të rinisë mësimi në të gjitha degët, ndërsa pedagogët do protestojnë vetëm një ditë në javë.

Kërkesa e pedagogëve është ajo për ndryshimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.

“Kjo javë vijon të shoqërohet me protesta në mjediset e fakulteteve dhe kjo do të thotë të jemi të gjithë në institucion por jo të bëjmë mësim. Ndërkohë që nga java e ardhshme do të jemi në protestë një ditë në javë lidhur me problemet që ka ligji i arsimit të lartë, me autonominë e universitetit etj. Kemi vënë re se ka një mospërfillje ndaj kërkesave tona. Ne kemi shprehur rezervat tona që në fillim kur po përgatitej ky ligj. Kjo ishte mbledhja e asamblesë së stafit akademik, ndërsa studentët kanë protestën e tyre. Ata në mënyrë qytetare vijojnë protestën e tyre në kërkim të plotësimit të kërkesave që kanë paraqitur. Ata me sa kuptoj unë presin nga qeveria zgjidhjen e problemeve që kanë parashtruar”, u shpreh dekani i Fakultetit Histori Filologji, Sabri Laçi.

Ai tha se zgjidhja për të zëvendësuar orët e humbura është diçka që i përket universitetit dhe kjo mund të realizohet sipas tij, duke bërë mësim gjatë ditëve të pushimit.

“Kemi vënë re që nuk ka një dispozicion të shprehet nga institucionet qeverisëse për ndryshime thelbësore në këtë ligj. Studentët kanë protestën e tyre. Studentët janë të ndarë në kategori, sipas këndvështrimit tonë. Ka një pjesë që qëndron stoik në ambientet e universitetit në mënyrë qytetare dhe kërkojnë të përmbushen kërkesat e tyre. Ka një kategori tjetër që qëndrojnë në shtëpira, që nuk e përballojnë jetën në Tiranë por zgjidhja duhet të vijë prej tyre dhe të reagojë qeveria. Zgjidhja duhet të përjetohet. Nuk kam asnjë kërkesë nga studentët për të filluar mësimin, por ka studentë që kanë dëshirë të bëjnë mësim. Përsa i përket zëvendësimit të orëve, kemi të gjithë vullnetin për t’i plotësuar. Oponencën e ligjit të Arsimit të Lartë e kemi bërë dhe do ta vazhdojmë dhe nëse do të kërkohet, jemi gati ta bëjmë pikë për pikë. Ne do ta krijojmë edhe sindikatën, që dikur ka ekzistuar, për institucionet e arsimit të lartë”, tha ai.