Bota Pekini: Nuk përbëjmë kërcënim për botën

Pekini: Nuk përbëjmë kërcënim për botën

Pekini hodhi poshtë shqetësimet në lidhje me një ”kërcënim kinez”, ditë para zhvillimit të një parade ushtarake madhështore që shënon 70-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës.

”Mendimi se Kina është kërcënim për botën është një keqkuptim dhe paragjykim i rrënjosur thellë”, sipas një raporti qeveritar, i titulluar “Kina dhe bota në epokën e re”.

Kina ka ushtrinë më të madhe në botë dhe buxhetin e dytë më të madh ushtarak pas SHBA-së.

“Kombi kinez nuk pushton të tjerët dhe nuk dominon botën”, shkruhej në raport.

“Nga mesi i shekullit XIX, fuqitë perëndimore abuzuan me Kinën duke i shkaktuar kësaj të fundit kujtime të përhershme për vuajtjet e shkaktuara nga lufta dhe paqëndrueshmëria. Ajo nuk do të imponojë kurrë vuajtjet që ka duruar nga kombet e tjera”, theksohej në të.