Sport Penalltitë fatale për Chelsean, Manchester City fiton Carabao Cup për të dytin...

Penalltitë fatale për Chelsean, Manchester City fiton Carabao Cup për të dytin vit radhazi

Manchester City fiton për herë të dytë radhazi Carabao Cup, pasi arriti të mposhtë Chelsean me ndihmën e penalltive, në finalen e luajtur në “Wembley”.

Vetëm pak ditë pas sfidës së kampionatit, kur Manchester City “dërrmoi keq” Chelsean, duke e mposhtur me rezultatin 6-0, të dy skuadrat u përballën sot në për të diskutuar trofeun e Carabao Cup.

Sfida këtë herë ishte e luftuar shumë nga të dy skuadrat, por në të vërtetë munguan rastet e pastra të shënimit, ndaj edhe 90 minutat e kohës së rregullt plus 30 minutat shtesë, përfunduan me rrjeta të paprekura.

Në ekzekutimin e penaltive fati ishte në krah të Cityt, që arriti të konvertojë në gol 4 prej tyre, duke humbur vetëm një me anë të Leroy Sane.

Nga ana tjetër, Chelsea shënoi vetëm 3 nga 5 penalltitë dhe Jorginho e David Luiz ishin ata që gabuan përballë portierit Ederson.

E nëse Manchester City fiton trofeun e parë sezonal, Maurizio Sarri humb edhe një tjetër mundësi për të fituar diçka më Chelsean këtë sezon, teksa tashmë gara e vetme për trofe, ka mbetur në Europa league.