Kryesore Pence: Trajtimi terapeutik kundër koronavirusit gati në fund të verës

Pence: Trajtimi terapeutik kundër koronavirusit gati në fund të verës

Deri në verë ose në fillim të vjeshtës mund të kemi në dispozicion një trajtim mjekësor kundër koronavirusit të ri, tha dje zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence, i cili koordinon luftën kundër epidemisë në SHBA.

“Trajtimet terapeutike për të qetësuar personat e prekur nga koronavirusi mund të jenë të disponueshme deri në verë ose në fillim të vjeshtës”, deklaroi ai në një konferencë për shtyp.

Pence shtoi, gjithashtu, se vaksina kundër sëmundjes mund të mos jetë e disponueshme deri në fund të vitit ose në fillimin e vitit të ardhshëm.

Sipas tij, testimet e para klinike për një vaksinë mund të zhvillohen brenda gjashtë javëve të ardhshme.

Deri më tani, është përdorur një antivirus, “Remdesivir”, i krijuar nga laboratori amerikan “Gilead”, për të kuruar dy pacientë, një në SHBA dhe një në Francë.

Ekipi mjekësor, që trajtoi pacientin në Francë në mes të shkurtit, e përshkroi trajtimin e administruar në mënyrë intravenoze, si premtues, sepse vepron drejtpërdrejt mbi virusin për të parandaluar shumëzimin e tij.