Aktualitet Pengjet e kokainës / Si udhëtuan dy shqiptarët në Kolumbi për të...

Pengjet e kokainës / Si udhëtuan dy shqiptarët në Kolumbi për të ofruar garanci

Trafiku i drogës ka rregulla dhe ligje të nëndheshme që nuk ndryshojnë asnjëherë pavarësisht kohës që kalon. Ashtu siç ndodh dhe tani, ku për të porositur një ngarkesë dikush mbahet peng derisa ngarkesa dhe likuidimi kryhet, edhe në dosjen e madhe “Kokaina” formula ka qenë e njëjtë. Gazeta “Si” vijon edhe sot publikimin e dosjes që për dy vjet mbajti pezull ambientet e Gjykatës së Tiranës, në një megaproces që u zhvillua në katin e parë të Gjykatës Penale, që në atë kohë e kishte selinë kryesore pranë ish-Ekspozitës. Për shkak se Gjykata e Krimeve të Rënda nuk ekzistonte dhe do duheshin edhe katër vjet të tjera që ajo të funksiononte, gjashtë nga shumë të arrestuar të tjerë përgjatë një megaaksioni antidrogë dolën para një gjykate të zakonshme. Procesi përfshiu dëshmitarë të arrestuar edhe nga ndërkombëtarët, mes të cilëve edhe L. Cestari që u përdor nga trafikantët si “syri dhe veshët e tyre” mbi bashkëpunëtorët e tyre shqiptarë.

Ishte pikërisht Cestari ajo që pasi ka vizituar dhe ka parë potencën e grupit ka konfirmuar te kolumbianët rëndësinë e bashkëpunëtorëve shqiptarë. Ajo pa mjetet detare, aksesin e grupit për të mos kryer kontrolle apo edhe dy portet. Pas këtij momenti, Frederik Durda nis udhëtimin e tij drejt Kolumbisë, duke kontaktuar drejtpërdrejt me trafikantët kryesorë. Bisedimet mes trafikantëve mbyllen me dakordësinë që palës shqiptare t’i besohej transporti dhe shpërndarja e një sasie rreth 5-6 ton kokainë, kokainë e cila do të ngarkohej dhe transportohej me anijen “Privilegje”. Por, si përherë, trafikantët kolumbianë edhe në këtë rast kanë kërkuar monedhën e garancisë dhe garancia ishin dy persona që do të mbaheshin peng në Kolumbi.

Frederik Durda

Në dosjen që Gazeta “Si” po zbardh pas 18 vitesh shpjegohet:

“Në mënyrë që ngarkesa e kokainës të ishte e garantuar, pa pagesë, organizata shqiptare sipas rakordimeve të bëra me organizatat kolumbiane ishte e detyruar të niste drejt Kolumbisë dy persona si pengje, duke i prezantuar si të afërt të tyre, persona të cilët do të përdoreshin për të garantuar kthimin e shumës së parave pas shpërndarjes dhe shitjes së sasisë së mallit të marrë të kokainës. Njëkohësisht përfaqësues të rrjetit kolumbian do të vinin në Shqipëri për të parë, verifikuar dhe monitoruar të gjithë ecurinë e punës në mbërritjen e anijes “Privilegje” dhe të sasisë së mallit të nisur”.

Sikurse rezultoi më tej, trafikantët dërguan nga Kolumbia drejt Shqipërisë eksponentin kolumbian të quajtur Velez Urihe Pedro Joze, i cili mbërrin në Tiranë në janar të vitit 2000.

Aktet e dosjes tregojnë se:

“Që nga momenti i mbërritjes së tij e deri në momentin e ardhjes së gjoja “mekanikut” të anijes “ Privilegje”, Velez Urihe Pedro Joze, ka qëndruar në banesën e të pandehurit Frederik Durda, ku është takuar me të gjithë pjesëtarët e rrjetit të organizatës shqiptare përfshirë këtu Frederik Durdën, Arben Bërballën, Sokol Koçiun, Din Gjonaj, Vebi Hysa dhe Alfred Nanaj.

Sokol Koçiu

Pedro Joze qëndron në Shqipëri deri në muaj prill dhe ndërkohë grupi është zgjeruar më tej, duke rekrutuar edhe dy miq të tjerë, Alfred Nanaj dhe Vehbi Hysa.

Marrëveshja

Dy ushtarët e fundit të grupit do të përdoreshin si pengjet e garancisë për dërgimin e mallit, ndaj edhe Hysa dhe Nanaj, pasi janë përcjellë drejt Rinasit, kanë udhëtuar në Itali e më tej në Kolumbi ku edhe kanë qëndruar për një kohë të gjatë.

Prokuroria veçon se: “Këto arsyetime të mësipërme provohen më së miri nga deklarimet që ka dhënë i pandehuri Vehbi Hysa përpara organit të Prokurorisë në fazat e para të fillimit të hetimeve, ku ky i pandehur është paraqitur vetë përpara këtij organi”.

Por, ndonëse Hysa përgjatë procesit mbajti qëndrim mohues, akuza i bashkëngjiti si argument rrëzues këqyrjen e pasaportës së tij ku tregohet udhëtimi drejt Kolumbisë.

Pengu kolumbian

Por njëkohësisht teksa dy pengjet shqiptarë po udhëtonin drejt Kolumbisë, eksponentët kolumbianë nisin pengun e tyre që quhej Triana Mateus. Dëshmia e kolumbianit dhënë për drejtësinë shqiptare nga Nju Jork, të cilën Gazeta “Si” po e zbardh:

“QUHEM Triana Mateus. U NISA nga Kolumbia në Shën Peterburg dhe nga Shën Peterburgu në Romë. Në Romë misioni kolumbian është pritur nga ana e të pandehurit Frederik Durda dhe Din Gjonaj, që kishin ardhur vetëm për këtë qëllim në Romë. Më pas u nisëm të tre në drejtim të Shqipërisë, duke udhëtuar në linjë trageti nga Bari në drejtim të Durrësit. Pas mbërritjes në Shqipëri mora kontakte edhe me dy të pandehurit e tjerë, pjesëtarë të kësaj organizate kriminale të pandehurin Sokol Koçiu dhe Arben Bërballa. Në Shqipëri qëndrova për një periudhë kohore të gjatë, në banesën me qira të Frederik Durdës. Qëllimi i ardhjes sime në Shqipëri ishte që të isha në pritje të ardhjes së ngarkesës së drogës së nisur nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Europës dhe kryesisht Shqipërisë, me anijen “Privilegj” në momentin e mbërritjes, menaxhimin e situatës së bashku me eksponentët shqiptarë, nxitjen e shpejtësisë së veprimeve, sigurinë e shpërndarjes si dhe menaxhimin e të ardhurave të siguruara me qëllim që të niseshin për në destinacionin e caktuar”.

Po cilët ishin kolumbianët e tjerë që vizituan Shqipërinë për planin e madh? Kush ishte Pacho?

Por përpara se të largohej nga Tirana kolumbiani Velez Uribe Pedro Joze, në Shqipëri vjen edhe eksponenti tjetër kolumbian i quajtur Gutierrez Sançes Nestor Monuel, ndryshe i quajtur “Pacho”. Në datën  27.03.2000  Pacho hyn nga Greqia  ku dhe është pritur nga ana e Frederik Durdës, Sokol Koçiut dhe pjesëtarëve të tjerë të kësaj organizate kriminale ku më pas është shoqëruar për në Tiranë në banesën e marrë me qira nga ana e të pandehurit Frederik Durda. Gjatë kohës së shkurtër të qëndrimit të tij në Shqipëri, Gutierrez Sançes Nestor Manuel ka konstatuar ekzistencën e kësaj organizate të mirëstrukturuar me të gjithë infrastrukturën e nevojshme dhe veprimet konkludente dhe aktive, sidomos të të pandehurit Frederik Durda dhe Sokol Koçiu, ku ky i fundit i është prezantuar edhe si shefi i antimafies shqiptare ose si të thuash si shefi i policisë sekrete, fjalë këto të thëna nga eksponenti kolumbian.

Materialet që Gazeta “Si” ju sjell si vijon përshkruajnë se: “Eksponentit kolumbian i ka bërë shumë përshtypje paraqitja prej një ekzekutivi të fuqishëm dhe plot energji e të pandehurit Sokol Koçiu si dhe shkalla e gjerë e njohjes së tij me punëmarrësit dhe lehtësirat që atij i krijoheshin gjatë lëvizjes nga Gjirokastra për në drejtim të Tiranës. Gjatë qëndrimit në banesën e Frederik Durdës, eksponenti kolumbian Gutierrez Gonçes Nestor Manuel është takuar edhe me eksponentin tjetër kolumbian, Velez Urihe Petro Joze i quajturi ndryshe Pedro, i cili kishte një periudhë kohore shumë të gjatë të qëndrimit të tij në Shqipëri”.

Për këtë përshkrim prokuroria sjell përgjimet e zhvilluara në një hotel në Romë pas kthimit të PACHOS, i cili flet me bashkëshorten dhe i tregon përshtypjet nga Shqipëria e trafikantëve që po bëheshin gati për goditjen e madhe.

Por çfarë ndodhi? Si ndërhyri Dea? Kush ishte kolumbiani i arrestuar dhe si u sekuestrua anija Privilege?… Gazeta “Si” do të vijojë me publikimin e dosjes në të cilën trafikantët pas humbjes së “Privilege” mendojnë një rrugë të re, ata flasin për rrugën ajrore dhe blerjen e avionit “Antonov 28”… Kush është Leo?/ Gazeta Si