Aktualitet Pensionistët e privilegjuar, ish-zyrtarët përfitojnë miliona nga pensionet suplementare

Pensionistët e privilegjuar, ish-zyrtarët përfitojnë miliona nga pensionet suplementare

Subvencionimi nga buxheti i shtetit për skemën e pensioneve suplementare ka pësuar rritje, pavarësisht reformës të vitit 2015, e cila synonte uljen e transferimit të parave publike për këto pagesa.  Sipas ligjit “Për buxhetin”, në vitin 2016 për pensionet suplementare janë transferuar 4.3 miliardë lekë, ndërkohë që ‘gropa’ pritet të thellohet edhe në vitin 2017, ku parashikohet se kjo skemë do të subvencionohet nga buxheti me 4.8 miliardë lekë apo me 465 milionë lekë më tepër se një vit më parë.

Në total, janë tri kategori që përfitojnë pension pleqërie shtesë për shkak të detyrës së ushtruar. Në njërën prej tyre bëjnë pjesë punonjësit që kryejnë funksione kushtetuese dhe punonjësit e lartë të shtetit. Lista e përfituesve i kalon 200 funksionet, që fillojnë me: Presidentin, kryetarin e Kuvendit; kryeministrin, ministrat e vijon me deputetët, zëvendësministrat e drejtorë të drejtorive të ndryshme.

Një tjetër kategori që përfiton pension suplementar janë ushtarakët, ndërsa kategoria e tretë përfshin personat që mbajnë tituj shkencorë e më konkretisht ata që kanë titullin shkencor “Profesor”, “Drejtues kërkimesh”, “Profesor i asociuar” dhe “Mjeshtër kërkimesh”.

Ekspertët thonë se barra e këtyre skemave në buxhetin është e rëndë dhe se, vetëm dy vjet nga reforma e fundit, skema do të duhet të reformohet sërish për të reduktuar përfitimet dhe rritur kontributet.

Edhe pse pranon se skema ka nevojë për rishikim, nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore Ali Emini i tha BIRN se rritja e moshës së daljes në pension në 2015-ën të personave që perfitojnë pensione të veçanta  ka ndihmuar me uljen e kostove me të paktë 10 % në 2017-ën.

Rishikimi i moshës shihet si një arritje e reformës edhe nga Ministria e Mirëqënies Sociale, e cila pranoi se rezistenca nga deputetët ka qenë e lartë.

“Rritja e moshës në 2015-ën u realizua me një angazhim serioz të pozitës qeverisëse sepse deputetët natyrshëm e refuzonin,” tha MMSR.

“Ka argumente për këtë, pasi për funksionarët e lartë nuk është e lehtë të adaptohen në tregun e punës. Edhe eksperienca botërore është e tillë,” shtoi MMSR.

Por një ish-zyrtar i Ministrisë së Mirëqenies Sociale i tha BIRN se përpjekjet e ekspertëve për të reformuar siç duhet skemën në vitin 2015 u bllokuan nga rezistenca në rangjet politike të përfituesve.

Pension special për elitën

Skema shqiptare e pensioneve nisi në vitet 1930 si një skemë e kufizuar kursimesh për punonjësit e administratës publike të asaj kohe ndërsa në vitet 1950, me ardhjen e regjimit komunist, u zgjerua për të përfshirë të gjithë punëtorët.  Gjatë regjimit komunist një skemë e veçantë u krijua për punonjësit e kooperativave duke e ndarë vendin efektivisht në dy klasa, pasi pensionet e kooperativave qenë shumë më të ulëta se sa pensionet e punonjësve në sektorin jobujqësor.

Në vitin 1991 ekonomia socialiste falimentoi, duke nxjerrë të papunë gati tri të katërtat e të gjithë punëtorëve. Shteti nuk pati më mundësi të respektojë kontratat e pensioneve të dekadave të mëparshme dhe në vitin 1994, me një ligj të ri pensionesh, i ra shkurt duke shpërndarë pensione minimale për të gjithë. Pensioni për zonat urbane u caktua në masën 2,200 lekë në muaj ndërsa në zonat rurale qe vetëm 700 lekë në muaj.

Por në vitin 1996, Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ligj që i ndau shqiptarët efektivisht në tre kategori. Pensione speciale dhe përfitime të tjera u përcaktuan për zyrtarët e lartë të shtetit, të zgjedhur apo të emëruar.

Sipas këtij ligji, zyrtarët e lartë vijonin të merrnin 40-50 për qind të pagës në formën e pensionit edhe për tre vjet pas largimit nga detyra, pavarësisht se mund të kishin qëndruar në detyrë vetëm dy vjet. Ata përfitonin gjithashtu pension dy – tre herë më të lartë se sa pjesa tjetër e shqiptarëve dhe u jepej e drejta të dilnin në pension shumë  vite më herët se sa pjesa tjetër e popullsisë.

Megjithëse ata përbënin një numër relativisht të vogël prej disa qindra vetësh fillimisht, kostoja e pensioneve të tyre qe e konsiderueshme ndërsa numri i përfituesve u rrit me shpejtësi përgjatë viteve. Me pensione më të larta dhe me kohëzgjatje përfitimi më të lartë gjithashtu për shkak të daljes së parakohshme në pension, barra që ata i kanë ngarkuar shqiptarëve është e konsiderueshme.

Në vitin 2009, qeveria krijoi edhe një skemë tjetër të këtij lloji, për të dhënë pensione speciale për stafet akademike. Teorikisht, skema duhet të vetëfinancohet, pasi profesorët e sotëm duhet të paguajnë kontribute më të larta për të paguar pensionet më të larta të profesorëve në pension. Praktikisht buxheti i shtetit paguan pjesën dërrmuese të kostove.

Në vitin 2015, e detyruar nga deficiti i lartë i skemës së pensioneve, qeveria bëri disa ndryshime në skemë duke rritur moshën e daljes në pension nga 55 në 60 vjeç si dhe duke rritur me 1 për qind masën e kontributeve ekstra që kjo kategori paguan për pensionin suplementar.

Pjesë e reformës ishte edhe skema për personat që gëzojnë tituj shkencorë, duke rritur me 1.5% masën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për ata që punojnë në institucionet publike. Me ndryshimet ligjore kjo kategori paguan kontribute në masën 5%, nga 3.5% që ishte më herët. Ndërkohë që, masa e kontributit suplementar që paguhet nga të punësuarit në sektorin privat nuk pësoi ndryshime, duke mbetur në nivelin 7%.

Me gjithë ndryshimet në skemë, raporti mes financimit të skemës nga kontributet dhe buxhetit të shtetit mbetet tejet i lartë. Skemat e pensioneve suplementare të marra së bashku në vitin 2016 kishin të ardhura prej vetëm 778 milionë lekësh dhe shpenzime totale prej 5.2 miliardë lekësh, me një masë deficiti prej 85 për qind. Kjo do të thotë se 85 për qind të pensioneve suplementare paguhen nga taksimi i përgjithshëm.

Të dhënat për nëntëmujorin e parë 2016, (të fundit të disponueshme), tregojnë se shqiptarët paguan 3.7 miliardë lekë për pensione suplementare, shumica e të cilave shkuan për pensionet suplementare të ushtarakëve. Aktualisht 2,241 ish-zyrtarë të lartë përfitojnë pensione të jashtëzakonshme.

Në buxhetin e vitit 2017, skema e pensioneve suplementare parashikohet të ketë më shumë shpenzime dhe deficit më të madh, pavarësisht se reforma e pensioneve e vitit 2015 supozohej se do të zvogëlonte deficitin duke ulur përfitimet dhe rritur kontributet.

Kështu, shpenzimet totale për pensione suplementare pritet të arrijnë në 5.9 miliardë lekë, me një rritje prej 13 për qind në krahasim me vitin e kaluar. Të ardhurat pritet të jenë 1 miliardë lekë dhe gropa që duhet të mbulojnë tatimpaguesit pritet të rritet në 4.8 miliardë lekë. Kjo është një barrë e konsiderueshme për buxhetin e shtetit, i cili, në një vit të zakonshëm paguan 4 miliardë lekë si ndihmë ekonomike për mbi 80 mijë familje të varfra.

Gjithsesi, pjesa dërrmuese e deficitit në skemat e pensioneve suplementare shkaktohen nga pensione të jashtëzakonshme që parlamenti i ka dhënë përgjatë viteve një numri zyrtarësh të tillë si ish-ushtarakë, ish-oficerë policie apo ish-oficerë të agjencive të inteligjencës, të cilët përfitojnë bashkërisht rreth 2 miliardë lekë në vit.

Ekspertët e ekonomisë thonë se skema e pensioneve suplementare për personat që ushtrojnë funksione kushtetuese dhe shtetërore prodhon shpenzime të padrejta për buxhetin e shtetit.

“Trajtimi i privilegjuar i ushtruesve të funksioneve të larta publike reflekton si trashëgiminë e periudhës komuniste, por edhe përvoja të ndryshme botërore. Nëse këto privilegje ishin “të drejta” deri para 10 vitesh, mendoj se sot janë “të padrejta”, reflektojnë një kosto të panevojshme mbi sistemin e sigurimeve shoqërore, janë zgjeruar shumë sa u takon rrethit të përfituesve dhe ndikojnë negativisht në perceptimin e publikut rreth mënyrës sesi qeveriset vendi”,- thotë për BIRN drejtori ekzekutiv i Qendrës Shqiptare për Kërkime Ekonomike, Zef Preçi.

“Problemi qëndron se janë shtuar disa kategori përfituese vetëm për një periudhë 2- vjeçare siç janë pensionet suplementare për punonjësit e shërbimit informativ të ushtrisë apo për punonjësit që gëzojnë tituj shkencorë”,- i tha BIRN eksperti i ekonomisë, Kastriot Sulka.

Për ekspertin e ekonomisë, Adrian Civici kjo skemë është e njohur edhe në vende të tjerë dhe si praktikë është e drejtë, pasi pensioni ashtu si paga është në një farë mënyre shpërblimi për punën e bërë dhe kontributin e dhënë. Por, sipas tij “e rëndësishme është që ky sistem të jetë sa më i drejtë në raport me “peshën” e tij në buxhetin e shtetit”.

“Me rëndësi është përcaktimi i saktë i kontributeve suplementare që kjo kategori personash duhet të paguajë gjatë kohës që është në punë në funksionet e mësipërme”,-shton ai.

Përfitimet e pensionit suplementar shihen me skepticizëm edhe nga politikanët.

“Janë privilegje, që politikanët ia japin vazhdimisht vetes dhe kjo është një nga arsyet që parlamenti është kthyer në një dyqan interesash privatë, që nga deputetët deri te biznesmenët e Shqipërisë. Një dyqan ku blihen ligje dhe politikanët kanë blerë një ligj të vogël për veten e vet”,-thotë për BIRN deputeti dhe kryetari i ‘LIBRA’ Ben Blushi.

Sipas tij, “ky privilegj duhet kufizuar për një numër të caktuar funksionarësh të lartë apo deputetësh si dhe duhet të vendosen disa kritere siç mund të jetë për shembull numri i mandateve”.

“Ne do të përfshijmë sigurisht shpenzime konservatore për buxhetin  e shtetit, shpenzime që shkojnë në funksion të interesit publik”,- thotë Blushi i pyetur në lidhje me faktin, nëse partia e tij politike do të parashikojë ndryshime të skemës në programin qeverisës.

Rezistencë ndaj reformës

Sipas ekspertëve të ekonomisë kjo skemë duhet të rishikohet, me qëllim uljen e financimit nga paratë publike. Rritja e moshës së daljes në pension, duke e barazuar me pjesën tjetër, rritja e masës së kontributeve që kjo kategori paguan si dhe reduktimi i listës së funksioneve përfituese janë disa prej sugjerimeve të tyre.

“Është koha që të rishikohen shpenzime të tilla dhe të kufizohet rrethi i përfituesve vetëm në postet e larta publike kushtetuese si dhe duhet të shihet e lidhur ngushtësisht me periudhën e qëndrimit në detyrë, duke synuar afate kohore për shembull jo më pak se tre vjet në funksionin përkatës, sikurse veprohet në shumë vende të BE-së, etj.”,-thotë Preçi.

“Personalisht mendoj se privilegji i daljes në pension, pavarësisht zgjatjes së moshës për personat që ushtrojnë funksione shtetërore nga 55 vjeç u bë 60 vjeç duhet hequr. Domethënë këta persona duhet të dalin në pension si të gjithë qytetarët e tjerë”,-shton ai. “Nëse ka gjëra qe duhen përmirësuar në këtë skemë është qartësimi dhe përkufizimi më i mirë ligjor dhe institucional i “kolonës së dytë”, asaj të pensioneve suplementare në funksion të kontributeve suplementare për të shkuar më drejt dhe në mënyrë më të qëndrueshme drejt ‘kapitalizimit të pensioneve’”, – sugjeron Civici.

Sipas Sulkës, rregullimi i kësaj skeme duhet të bëhet duke shtuar barrën e sigurimit për kategoritë përfituese në formën e pagesës së sigurimeve. “Do të kesh pension më shumë, duhet të paguash pak më shumë. E dyta duhet të rritet mosha sepse disa prej këtyre funksioneve i marrin që 55 vjeç. Të bëhet 60-65 vjeç. Edhe si kohëzgjatje: nuk mund ta marrë menjëherë pensionin, për shembull pas tri vitesh që ka kontribuar. Duhet vendosur një kusht i tipit 10-15 vjet për të përfituar”,-shton Sulka.

I pyetur nga BIRN, nëndrejtori i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Ali Emini thotë se skema e pensioneve ka nevojë për ndryshime.

“Natyrisht skema është e programuar të ketë subvencione dhe është e drejtë. Reforma duhet thelluar deri në barazimin e moshës së daljes në pension”,- thotë Emini.

“Nëse nuk do të ishin marrë masa për rritjen e moshës së daljes në pension me 5 vite dhe rritjen me 1 pikë përqindje të masës së kontributit, për vitin 2017 subvencionet së paku do të ishin 10% më të larta. Për më tepër edhe për shkak të zgjedhjeve të vitit 2017, numri i përfituesve parashikohej të rritej ndjeshëm. Rritja e moshës me 5 vite ka reduktuar shtesën e shpenzimeve me mbi 50%”,-shton nëndrejtori i ISSH-së.

“Një rishikim në lidhje me moshën e përfitimit të pensionit mendojmë se mund të jetë i nevojshëm pas disa vitesh”,- tha për BIRN Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, institucioni përgjegjës për sigurimet shoqërore.

E pyetur në lidhje me rritjen e masës së kontributit që paguan kjo kategori, sugjeruar nga ekspertët e ekonomisë, ky dikaster thotë se kjo masë duhet ndërmarrë në të ardhmen.

“Rritja e mëtejshme e kontributit kuptohet që e lehtëson skemën financiarisht, por në momentin e reformës ishin bërë disa ndryshime në tatime (u rrit tatimi mbi të ardhurat duke shkuar 23% e pagës për këto funksione, heqja e kufirit për pagesën e sigurimeve shëndetësore, etj.).

Në të ardhmen, pas konsolidimit të kësaj reforme mund të bëhen përmirësime të tjera në parametrat e skemës”,-thotë MMSR.

Ndërkohë që, në drejtim të reduktimit të listës së funksioneve përfituese, ky institucion tha për BIRN se ajo “është reduktuar ndjeshëm me Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 548, datë 27.7.2016, që ka dalë në zbatim të ndryshimeve të ligjit, bazuar në Dokumentin e Politikave të Pensioneve”.

E kontaktuar nga BIRN, Ministria e Financave refuzoi një kërkesë për koment në lidhje me skemën e pensioneve suplementare.

Ndërkaq, burime nga grupi i reformës të vitit 2015 thanë për BIRN se në atë kohë u propozua “barazimi i moshës së daljes në pension për funksionarët e lartë me personat e tjerë si dhe rritja e masës së kontributit”.

“Ne nuk arritëm t’i zyrtarizonim këto propozime për shkak të presionit të funksionarëve. Ata i refuzuan paraprakisht dhe propozimet nuk u ‘hodhën’ në letër”,- tha ai në kushtet e anonimatit./BIRN