Extra Për herë të parë në 1,200 vjet, lulet e qershive në Japoni...

Për herë të parë në 1,200 vjet, lulet e qershive në Japoni çelën më herët. Shkencëtarët paralajmërojnë rrezikun

Pamjet karakteristike të Japonisë në pranverë janë fotografitë me ngjyra rozë, të shkaktuara nga ajo që njihet si “dëbora e petaleve” (sakura snow) që nuk është asgjë me tepër se thjesht çelja e luleve të qershisë, që mbahen si më të bukurat në Japoni. Por këtë vit, për herë të parë në 1,200 vjet, lulet e qershisë lulëzuan më herët.

Yasuyuki Aono, një studiues i Universitetit të Osakës, ka mbledhur të dhëna në Kioto që prej vitit 812 pas Krishtit nga dokumentet historike dhe ditarët. “Në qytetin e Kiotos, lulet e qershisë arritën kulmin e lulëzimit më 26 mars, data më e hershme për qytetin në më shumë se 1,200 vjet”, tha Aono për CNN. Edhe në kryeqytetin japonez, Tokio, lulet e qershisë arritën lulëzimin e plotë më 22 mars.

CNN raporton se ndryshimi i këtij viti në datat e lulëzimit të luleve nuk është i kufizuar vetëm në Japoni; lulet e qershisë që zbukurojnë Tidal Basin në Uashington gjithashtu kanë çelur herët. Sipas Shërbimit Amerikan të Parkut Kombëtar, data e pikut të lulëzimit të luleve të qershisë në Uashington ka përparuar me gati një javë nga 5 prill më 31 mars.

“Lulëzimi i tyre i hershëm është vetëm maja e ajsbergut të një fenomeni mbarëbotëror që mund të destabilizojë sistemet natyrore dhe ekonomitë e vendeve”, tha për CNN Amos Tai, asistent profesor i shkencës së tokës në Chinese University në Hong Kong.

Sipas tij, ekzistojnë dy burime të nxehtësisë së shtuar, e cila është faktori kryesor që i bën lulet të çelin më herët: urbanizimi dhe ndryshimi i klimës. Me rritjen e urbanizimit, qytetet priren të bëhen më të ngrohta se zona rurale përreth. Por një arsye më e madhe është ndryshimi i klimës, i cili ka shkaktuar rritjen e temperaturave në të gjithë rajonin dhe botën.

“Marrëdhënia midis bimëve dhe insekteve dhe organizmave të tjerë janë zhvilluar gjatë shumë viteve – mijëra deri në miliona vjet”, tha Tai. “Por në shekullin e fundit, ndryshimi i klimës po shkatërron gjithçka dhe po prish të gjitha këto marrëdhënie.”

Ai thekson se bimët dhe insektet e ndryshme mund t’u përgjigjen rritjes së nxehtësisë me ritme të ndryshme, duke shkaktuar mungesë sinkronizimi të cikleve të tyre të jetës.