Bota Për herë të parë në 200 vite, Katedralja Notre-Dame anulon meshën e...

Për herë të parë në 200 vite, Katedralja Notre-Dame anulon meshën e Krishtlindjes

Katedralja Notre-Dame nuk ishte në gjendje të mbante meshën e Krishtlindjes, për herë të parë në 200 vite, si pasojë e zjarrit që shkatërroi strukturën e saj në prill.

Në vend të kësaj, besimtarët katolikë francezë u mblodhën në kishën Saint-Germain l’Auxerrois. “Nuk është e njëjta ndjenjë, por mbetet ende një meshë Krishtlindjeje,” tha një 16-vjeçare për The Guardian.

“Ne jemi të trishtuar që prej 15 prillit dhe sot ndihemi të trishtuar më shumë se kurrë”, tha një i ri parizien, i cili mori pjesë në meshën e vitit të kaluar.

Ndërkohë, punëtorët vazhdojnë të riparojnë dhe rindërtojnë katedralen.

Notre-Dame, pjesë e trashëgimisë botërore të Unesco-s, humbi një pjesë të strukturës së saj gotike, si pasojë e zjarrit që përfshiu godinën.

Katedralja qëndroi e hapur përgjatë dy shekujve, duke përfshirë edhe pushtimin nazist në Luftën e Dytë Botërore. Ajo u mbyll vetëm gjatë revolucionit anti-katolik në fund të shekullit XVIII dhe fillimit të shekullit XIX.

Presidenti francez Emmanuel Macron caktoi një periudhë prej pesë vitesh, gjatë të cilës do të riparohet dhe rindërtohet godina 800-vjeçare.

Ministria e Kulturës në Francë tha në tetor se u grumbulluan 1 miliardë euro për rindërtimin e Notre Dame.