Sport Për herë të parë në “San Paolo”, Messi në tempullin e Maradonës

Për herë të parë në “San Paolo”, Messi në tempullin e Maradonës

Krahasimi me Diego Armando Maradonën e ka përndjekur thuajse gjatë gjithë kohës yllin e Barcelonës, Lionel Messin. Të martën katalanasit luajnë në Champions League ndaj Napolit në “San Paolo”, në “shtëpinë” e Maradonës. Messi shkel për herë të parë në tempullin e bashkombasit të tij, në “San Paolon” që pritet të jetë plot, pasi të gjitha biletat janë shitur pak orë pasi dolën në treg.

Publiku napoletan pret të shijojë nga afër të vetmin talent të futbollit botëror në lartësinë e Maradonës. “Prej shumë kohësh kam dashur të luaj në atë stadium”, – ka deklaruar së fundi Mesi, i cili vjen në ndeshjen e nesërme në një formë shumë të mirë, pas “pokerit” të golave që shënoi ndaj Eibarit në kampionat.

“Më në fund erdhi momenti dhe jam i lumtur që do të shoh si është të luash në stadiumin e Napolit. Besoj se do të jetë një eksperiencë e bukur. Njerëzit aty janë shumë të pasionuar pas futbollit. I njoh napoletanët dhe e di që janë të çmendur pas këtij sporti. Kam pasur shokë skuadre që kanë luajtur në atë stadium, si Laveci, i cili më ka treguar për atë që ka përjetuar, prandaj jam entuziast që do të luaj aty”, – ka theksuar kapiteni i Barcelonës.