Kryesore Për herë të parë në Shqipëri, nga 1 nëntori nis vaksinimi për...

Për herë të parë në Shqipëri, nga 1 nëntori nis vaksinimi për HPV

Duke filluar nga data 1 nëntor në Shqipëri, do të përfshihet për herë të parë në kalendarin e vaksinimit, vaksina kundër humanpapillomavirusit. Lajmin e dha ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu, sipas të cilës kjo është një fitore në betejën kundër kancerit të qafës së mitrës.

“Kemi punuar gjatë për të arritur këtu dhe fakti që një vaksinë kaq efektive është dhe ne tashmë kemi mundësi që vajzat tona t’i vaksinojmë dhe të garantojmë që deri në 100%, që nuk do t’i prekë kanceri i qafës së mitrës, është një fitore, fitore padyshim e shkencës, por është një fitore e cila ne sjellim në këtë betejë të përditshme kundër sëmundjes dhe pikërisht kundër tumorit të qafës së mitrës”.

Gjatë një aktiviteti për Tetorin Rozë, Manastirliu theksoi se është arritur që 20 mijë gra në vit të kryejnë mamografinë falas, ndërsa objektivi për vitin e ardshëm është për 50 mijë gra..

“Kemi arritur që sot të kryejnë mamografinë rreth 20 mijë gra në vit. Do të mundësojmë gjithashtu në kohë reale që nëpërmjet mamografëve të lëvizshëm të kemi mundësi që të ecim më shpejt në raport me depistimin e hershëm të grave në grupmoshat +50 vjeç në zonat e thella dhe ato rurale të thella, për të mundësuar që targeti që kemi vendosur në Programin tonë Kombëtar të Depistimit të Hershëm të Kancerit të Gjirit ku synojmë që rreth 50 mijë gra në vit të bëjnë mamografinë, të jetë një objektiv i arritshëm”.

Duke folur për shtirjen e shërbimit në spitalet rajonale, Manastirliu tha: “Ne për këtë vit synojmë që Njësitë e Kemiterapisë t’i shtrijmë në dy spitale. Tashmë e kemi hapur Njësinë e Kemiterapisë së re në Spitalin e Beratit. Brenda këtij viti hapet dhe në Spitalin e Korçës ku është angazhuar dhe mjekja onkologe nëpërmjet sistemit të bonusit për të ofruar shërbim në këtë spital”.

Duke folur për listën e barnave të rimbursueshme, Manastirliu bëri me dije se buxheti i vitit 2023 do të ketë një rritje përsa u përket barnave falas për sëmundjet kronike dhe ato tumoriale.