Bota Për herë të parë republikanët francezë kandidojnë një grua për presidente

Për herë të parë republikanët francezë kandidojnë një grua për presidente

Republikanët francezë emëruan ish-ministren, Valerie Pecresse si kandidaten e tyre të parë grua për presidente.

Në raundin e dytë të zgjedhjeve paraprake të partisë, Pecresse fitoi me 61 për qind të votave kundër Eric Ciotti, një deputet nga jugu i Francës.

“E djathta është kthyer”, tha Pecresse.

“Ne do t’i kthejmë vendit tonë unitetin, dinjitetin dhe krenarinë e tij”, shtoi ajo.

Partia e qendrës së djathtë për herë të fundit kishte si president Nicolas Sarkozy.

Sipas sondazheve aktuale, nuk është e sigurt që republikanët do të arrijnë në raundin e dytë të zgjedhjeve në prill 2022.

Për momentin, favorit është presidenti aktual Emmanuel Macron, i cili me shumë gjasa do të kandidojë sërish.

Populistja e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen është aktualisht në vendin e dytë në sondazhe.

Valerie Pecresse

Zgjedhja e Pecresse si kandidate e republikanëve konsiderohet surprizë.

Midis pesë kandidatëve ishin ish-negociatori kryesor i BE-së për Brexit, Michel Barnier dhe Xavier Bertrand, president i këshillit rajonal të Hauts-de-France.

Pecresse është aktualisht presidente e këshillit rajonal të rajonit Ile-de-France.