Bota Për herë të parë të gjelbrit kanë një kandidate për pasuese të...

Për herë të parë të gjelbrit kanë një kandidate për pasuese të Merkelit

Për herë të parë në historinë e saj, Partia e Gjelbër në ngjitje e sipër në Gjermani, emëron një kandidate për kancelar.

Partia e Gjelbër e Gjermanisë ka zgjedhur bashkëkryetaren e saj, Annalena Baerbock, si kandidaten e saj kancelare në zgjedhjet parlamentare të shtatorit.

“Ne kemi një vizion të qartë të asaj që kancelarja në Gjermani duhet të përmbushë: ka të bëjë me ndryshimin, jo me premtime”, tha Baerbock, 40 vjeçe, pasi njoftoi kandidaturën e saj me bashkëkryetarin tjetër të partisë, Robert Habeck.

Ajo njoftoi se qëllimi i Partisë së Gjelbër do të vazhdojë të jetë realizimi i qëllimeve klimatike nga Marrëveshja e Parisit.

“Mbrojtja e klimës është detyra e kohës sonë, detyra e brezit tim”, tha Baerbock, e cila ka qenë në krye të Partisë së Gjelbër që nga viti 2018, së bashku me Habeck.

Partia e Gjelbër ka kohë që gëzon mbështetje të fortë publike në sondazhet e opinioneve. Sipas sondazheve të fundit, midis 20 dhe 23 përqind e qytetarëve do të votonin për të Gjelbrit, gjë që e vendos partinë në vendin e dytë për nga popullariteti, pas Bashkimit Demokristian CDU / CSU.

Partia e Gjelbër u votua nga 8.9 përqind e qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare federale.

Në rast të formimit të një qeverie të majtë, me të Gjelbrit, Social Demokratët dhe Partinë e Majtë, Baerbock do të ishte kancelarja e re.

Por në të njëjtën kohë, partia është e hapur për një koalicion me Demokristianët, i cili deri më tani ka provuar të jetë një opsion i suksesshëm në disa shtete federale.

Deri më tani, përveç të Gjelbërve, vetëm Partia Social Demokrate e Gjermanisë (SPD), me Olaf Scholz, ka emëruar një kandidat për kancelar në zgjedhje.

CDU / CSU në pushtet nuk ka emëruar ende kandidatin e saj për kancelar.

Megjithëse u njoftua se vendimi midis dy kandidatëve, presidentit të CDU dhe CSU, Armin Laschet dhe Marcus Soeder, do të bjerë në fund të javës së kaluar, Kristian Demokratët ende po kërkojnë një pasuese të mundshme të Angela Merkel, e cila po del në pension pas zgjedhjeve të shtatorit.