Aktualitet Për një gërvishtje makine, kush është i shumëkërkuari që qëlloi dy shokët...

Për një gërvishtje makine, kush është i shumëkërkuari që qëlloi dy shokët në Tiranë

Aldo (Iamandi) Gjini

Aldo (Iamandi) Gjini është vetëm 31-vjeç, por skeda kriminale është e mbushur me tentativë vrasje në Luksemburg dhe Shqipëri, drogë dhe trafik armësh e municionesh. I riu që prej shkurtit të këtij viti ishte i shpallur në kërkim nga EUROPOL-i lëvizte i qetë dhe i pashqetësuar në Tiranë dhe kudo nëpër Shqipëri. Por cila është e shkuara e tij që sonte plagosi dy të rinj, shokë mes tyre për një gërvishtje makine në rrugën “Todi Shkurti”.

E shkuara në Itali

Në vitin 2016 ai u arrestua në Askoli të Itali së bashku me vëllanë dhe një tjetër person me akuzën e shpërndarjes së lëndëve narkotike, heroinë dhe hashash. Por pas mbylljes së hesapeve me drejtësinë italiane nuk hoqi dorë nga problemet.

Plagosja në Luksemburg

Katër vite më vonë, në 24 nëntor 2020, në Remich, në jug-lindje të Luksemburgut shqiptari Aldo (Iamandi) Gjini akuzohet se tentoi që të vrasë një person me armë zjarri, por fatmirësisht shënjestra shpëtoi, pasi plumbat e kapën në këmbë. Gjini arrit që të largohet duke u arratisur drejt atdheut.

Ndërkohë që në 11 shkurt të këtij viti u lëshua urdhër arresti ndërkombëtar. Autoritetet në Luksemburg e konsiderojnë shqiptarin “jashtëzakonisht të rrezikshëm”. Mediat në Luksemburg shkruanin asokohe se 31-vjeçari “i shumëkërkuarit jetonte në Bruksel dhe lëvizte me Mercedes G-AMG”.

Por si nisi sherri sonte?

Nga të dhënat e para nga grupi hetimor, “ABC” mëson se dy të plagosurit që janë shokë mes tyre u konfliktuan me Gjinin pas një incidenti me makinat.

Në momentin që dy të rinjtë Altin Gjoka dhe Jetmir Marashi u ulën në lokalin që ndodhet në kompleksin “Grand”, Gjini ka shkuar dhe pas debatit verbal i ka qëlluar me armë.

Gjoka 32 vjeç ka marrë një plumb në shpatull, ndërsa Marashi 28 vjeç u qëllua në gjoks. Dy të rinjtë janë transportuar në spital, ndërsa Marashi është në gjendje të rëndë për jetën, raporton Abc.