Politika Për të fituar zgjedhjet, mjafton një votë

Për të fituar zgjedhjet, mjafton një votë

Kodi Zgjedhor i Shqipërisë nuk kufizon vlefshmërinë e një procesi votimi me pjesëmarrjen e votuesve në të. Pra, nuk ka një prag minimal pjesëmarrjeje në zgjedhje, nën të cilin procesi të cilësohet si i pavlefshëm dhe të përsëritet.

Kjo do të thotë se në zgjedhjet e 30 qershorit, gjithmonë nëse këto zgjedhje do të mbahen, kandidatët që garojnë të vetëm për kryetarë bashkie ligjërisht do t’u mjaftonte vetëm vota e vet, jo vetëm për t’u shpallur fitues, por edhe me rezultatin “bindës” prej 100 për qind të votave.

E tillë është gara në 35 bashki, ku në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve garon vetëm kandidati i Partisë Socialiste, pa asnjë rival përballë.

Kushtet për të vendosur pavlefshmërinë e procesit zgjedhor përcaktohen në kreun e dytë të Kodit Zgjedhor, përkatësisht në nenet 160 dhe 161 të këtij Kodi. Në asnjërin prej këtyre neneve nuk përcaktohet niveli i pjesëmarrjes si kusht pavlefshmërie, e po ashtu nivel pjesëmarrje për ta cilësuar procesit të vlefshëm ose të pavlefshëm nuk parashikon as Kushtetuta në nenin e dytë të saj.

Pra, pak rëndësi ka pjesëmarrja në zgjedhjet e 30 qershorit. Rëndësi ka rezultati në fund, edhe sikur në kutitë e votimit në bashkitë me vetëm një kandidat të hidhet vetëm fleta e vetë kandidatit. Mungesën e një kufiri minimal e ka ngritur shqetësim Instituti i Studimeve Politike disa herë.

Në muajin mars, kreu i këtij Instituti, Afrim Krasniqi publikonte një analizë mbi pjesëmarrjen e qytetarëve në proceset zgjedhore ndër vite. Përfundimi ishte se në asnjë rast, partia ose koalicioni fitues zgjedhor në Shqipëri nuk përfaqësonte shumicën e shqiptarëve, por vetëm shumicën e shqiptarëve që kishin votuar.

Megjithatë, jo domosdoshmërisht ata që nuk votojnë janë kundër një partie apo kandidati të caktuar. Në analizën e ISP-së thuhet se pjesa më e madhe nuk votojnë për shkak se nuk ndodhen në Shqipëir dhe një pjesë mes 5 dhe 10 për qind e zgjedhësve nuk votojnë me ndërgjegje si protestë ndaj klasës politike dhe zhgënjimeve të shkaktuara prej saj.