Extra Përballë me sinqeritetin

Përballë me sinqeritetin

Nga Edmira Xhaferi

Ecën sot në jetën tënde dhe hesht. Kupton se diçka mungon. Diçka në dukje e vogël, por me peshë të madhe, e rend ta kapësh se të duket aty, e lehtë për tu prekur dhe e thjeshtë për ta bërë tënden. Dhe shpejt kupton që ke gabuar, ke gabuar në mendime, e kthehesh mbrapsht me kokën ulur, sepse për momentin është e paarritshme, e pamundur.

Dhe në një bashkëbisedim me vetveten, kupton sa e vështirë është një gjë në dukje kaq e thjeshtë, por e parealizuar. Kupton se ke vuajtur në jetën tënde për atë, komunikimin e sinqertë, që të ndihmon ty që të ecësh përpara e të kuptosh vetveten. Kupton se kudo ku ke rendur për të mbaruar të përditshmen tënde nuk e ke patur pranë e të ka munguar. Po pse?

Është kaq i thjeshtë komunikimi i sinqertë, kaq normale që ta kesh pranë e ta kapësh nga shoku, miku apo mikesha, personi që mendon se është aty për ty në rrugën tënde, por papritur sheh se janë vendosur barriera të larta që të mos e prekësh, që të mos e ndjesh e të mos e bësh tënden! Sa keq!

Zgjat dorën dhe kupton që e gjithë kjo shoqëri, që të mbulon e është bërë pjesë e afërt ose e largët e ditës tënde, vuan nga komunikimi i sinqertë, komunikimi i qytetarisë e i shoqërisë së bukur, komunikimi i të përditshmes dhe i dëshirës për të patur gjënë më të thjeshtë si një domosdoshmëri në grupin ku jeton e krijon marrëdhënie reciproke.

Të ndërtosh brenda vetes tënde sinqeritetin, je lodhur shumë në fëmijërinë tënde. Je lodhur në përpjekjet e tua sepse nuk ke qenë vetëm. Ke qenë në familje e shoqëri të ngushte ose jo, por nuk ke qene vetëm. Ke qenë ndoshta dhe në luftë me vetveten, për të ndarë më të mirën për veten tënde, për të zgjedhur të duhurën për ty e për ata që të ndihmuan për më të mirën… Por tashmë çdo përpjekje e ndërtuar nuk duhet harruar pikërisht aty ku filloi, por duhet të rritet bashkë me ty e të ecë krah teje për të të ndihmuar të ofrosh më të mirën, ate që duhet të përcjellësh fort në shoqërinë tënde.

E, ti bashkëkohësi im, njeriu i kësaj epoke, duhet te luftosh fort, ta dhurosh,… ta falësh. Sepse ti duhet të kuptosh se komunikimi i sinqertë është vlerë e munguar në një shoqëri si e jona. Se një shoqëri si kjo vuan, pasi nuk e ka të vetën këtë komunikim, ashtu siç e kishe ti në fëmijërinë tënde.

Të lutem, tregoji kësaj shoqërie përpjekjet e fëmijërisë tënde, ato përpjekje që ty të ngritën si njeri me vlera të mëdha e të pazëvendësueshme; tregoji se përpjekjet për komunikimin e sinqertë janë vlera jote më e madhe. Sepse të gjithë duhet të kapin këto vlera e të ndërtojnë brenda vetes normat e harruara ose të lëna pas dore, vlerat e shprehura shkurt, por me peshë të madhe, vlerat e komunikimit të sinqertë, mbi të cilat duhet të ndërtojmë themelet e ditës sonë e pastaj do kuptojmë se çfarë kemi harruar nëpër kohë e çfarë vlere po marrim me vete…

Se ne mundemi! Mundemi të ndërtojmë të nesërmen duke vene si themel vlerën më të madhe, komunikimin e sinqertë!

Ne mundemi të ecim në hapin e një shoqërie të emancipuar, të ndërtuar hershëm në breza dhe të shoqëruar me këto vlera. Ne mundemi të kuptojmë se gjithçka e bukur nuk huazohet, por ndërtohet mbi dëshirën që ti ngre brenda, pa dashur të kthesh kokën për të bërë tëndin një model që të tundon. Sepse ne mundemi që të bëjmë tonën një gjë kaq të bukur!…