Politika Përballimi i COVID-19, Meta ka një mesazh për qytetarët, por edhe për...

Përballimi i COVID-19, Meta ka një mesazh për qytetarët, por edhe për qeverinë

Presidenti Ilir Meta ka ftuar qytetarët që të respektojnë të gjithë rregullat e caktuara prej autoriteteve, kufizime këto, të cilat synojnë në thelbin e tyre pengimin e përhapjes së pandemisë globale të COVID-19. Me anë një deklaratë për mediat, kreu i shtetit shprehet se ndjekja dhe zbatimi i masave është në interesin e të gjithë shoqërisë tonë.

“I ftoj të gjithë qytetarët të respektojnë me përpikmëri të gjitha udhëzimet dhe kufizimet e bëra publike për shkak të pandemisë globale COVID-19, pasi kjo është në interesin tonë të përbashkët. Në këtë mënyrë jo vetëm mbrojmë shëndetin tonë, por ndihmojmë njëkohësisht mjekët dhe personelin shëndetësor, që po sakrifikon dhe rrezikon për shëndetin e të gjithëve ne”, shprehet Meta.

Kreu i Shtetit i drejtohet me një mesazh qeverisë, të cilës i kërkon, që çdo akt që miratohet mbi situatën nga Këshilli i Ministrave t’i nënshtrohet një vlerësimi të detajuar dhe të jetë në përputhje me interesin publik  dhe kombëtar.

“Ndërkohë, është me rëndësi që çdo akt i Këshillit të Ministrave që miratohet në këtë situatë, t’i nënshtrohet paraprakisht një vlerësimi sa më të thelluar, në proporcion me gjendjen që dikton domosdoshmërisht miratimin e tyre. Çdo masë e marrë duhet të jetë në përputhje me interesin e përgjithshëm publik dhe kombëtar, dhe në harmoni me hierarkinë e normave në fuqi, në mënyrë që miratimi i masave kufizuese të mos rrezikojë krijimin e konflikteve të reja sociale dhe gjyqësore”, shton Meta.

Sipas Metës, masat kufizuese për qytetarët duhet të aplikohen në përputhje me parimet e Kushtetutës dhe të ligjeve në fuqi. Meta thekson se bashkëpunimi mes qytetarëve dhe strukturave të tjera shtetërore do të shërbejë si mjeti më efikas për përballimin me sukses të pandemisë globale, si pasojë e së cilës deri tani kanë humbur jetën mijëra njerëz në mbarë botën.

“Masat kufizuese duhet të jenë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe të ligjeve në fuqi, por edhe t’i përgjigjen vetëm nevojës dhe urgjencës së përballimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore të shpallur nga Këshilli i Ministrave. Bashkëpunimi më i ngushtë midis qytetarëve dhe institucioneve është garanci kryesore për përballimin sa më efikas të kësaj pandemie për të gjithë”, theksoi Meta.