Opinione Përdorimi i pa vend i fjalës “adhuroj”

Përdorimi i pa vend i fjalës “adhuroj”

Nga Miron Çako*

Sot në komunikimin midis njerëzve, është bërë shumë e përdorshme fjala “adhuroj”. Njerëzit shumë shpesh përdorin shprehje të tilla si: e adhuroj atë njeri, adhuroj natyrën, një objekt, një profesion, etj. Pavarësisht se ajo shihet si një fjalë “trendi” për të shprehur simpatinë, ose kënaqësinë maksimale, përsëri shumë njerëz që e përdorin nuk ia dinë domethënien, rëndësinë, për kë dhe kur mund të përdoret me vend kjo fjalë.

Edhe në përkthimin nga anglishtja në shqip, fjala “adhurim” shpesh është e përdorur pa vend, sepse zakonisht për të shprehur simpatinë dhe kënaqësinë në marrëdhëniet njerëzore, në anglisht përdoret fjala admire=admiroj (pelqej shumë), po ashtu përdoret adore =adhuroj, në kuptim të nderimit me përulësi ndaj tjetrit, si: “I adore you”(të nderoj), por asnjëherë në lidhje me Perëndinë. Për të treguar adhurim në Perëndinë në fjalorin anglisht përdoret fjala worship=adhuroj, “ worship God” (adhuroj Zotin). Ndërsa në fjalorin shqip-shqip fjala adhuroj = kam dashuri të zjarrtë e nderim të madh për dikë a për diçka; edhe fetarisht e nderoj si perëndi, i përulem e i falem. Në gjuhën shqipe fjala adhurim nuk ka një konotacion të qartë për kë e dedikon, për njerëzit apo për Perëndinë. Në kohën e regjimit ateist komunist, meqenëse fjala kishte edhe konotacion fetar pothuajse ajo nuk përdorej fare në komunikimin midis njerëzve.

Fjala adore=adhurim vjen nga latinishtja Ad=të dhe Orare=lutesh, flasësh, pra Adorare=të lutesh,të himnosh “perënditë”, ashtu si në greqishten ishte fjala me të njëjtin kuptim λατρεύω=adhurim. Domethënia dhe rëndësia e përdorimit kësaj fjale ishte e madhe, sepse përdorej vetëm në marëdhëniet e tyre me “perënditë”.

Që ta kuptojmë më mirë konotacionin e fjalës adhurim në lidhje me hyjnoren, na ndihmon shkenca e teologjisë, shkenca që na flet në lidhje me Perëndinë që është Transhendent (përmbi të gjitha gjërat, jashtë kohe e hapësire dhe plotësisht i veçantë nga universi dhe në asnjë mënyrë i ngatërruar me atë) dhe Imanent (që përshkon gjithë universin si i kudondodhur, ndonëse mbetet i veçuar prej krijimit në Qenien dhe esencën e Tij).

Nga të gjithë krijesat në tokë, njeriu është thirrur aq sa i lejohet dhe mundet ta shohë lavdinë e Perëndisë që të mund të adhurojë Zotin. Adhurimi është shprehja spontane dhe njëkohësisht e ndërgjegjshme, e detyruar dhe me dashje, e reagimit kompleks të njeriut të shtangur nga afrimi me Perëndinë, është ndërgjegjësimi i fortë i parëndësisë së tij si krijesë prej dheu, por edhe i gjendjes mëkatare para Zotit të Gjithëfuqishëm dhe Gjithëdrejtë. Adhurimi për shkak se pushton të gjithë qenien njerëzore, shprehet jo vetëm me veprime shpirtërore, por edhe me fjalë edhe me gjeste trupore dhe nuk ka adhurim të vërtetë në qoftë se trupi nuk shfaq në një farë mënyre sovranitetin e Krijuesit dhe kjo e shfaqur me një përmbysje me fytyrë përtokë e besimtarit, si shprehje e jashtme e nënshtrimit të plotë të qenies së brendshme shpirtërore të njeriut ndaj qenies Hyjnore.

Profeti Ezekiel(shek. IV para Krishtit), kur u gjend përpara lavdisë së Perëndisë ra përmbys: “Ashtu siç është pamja e një ylberi në re në një ditë shiu, kështu ishte pamja e atij shkëlqimi që e rrethonte. Ajo ishte një shfaqje e shëmbëlltyrës së lavdisë të Zotit. Kur e pashë, u rrëzova me fytyrë” (Ezekieli 1:28).

E gjitha kjo tregon se shenjtëria dhe madhëria e Zotit kanë diçka që e dërrmojnë krijesën, e zhysin në hiçin e saj, e mbushin me frikë, përulësi, me mirënjohje, falënderim në adhurim, prandaj psalmisti thërret: “Ejani, të adhurojmë dhe të përkulemi; të gjunjëzohemi përpara Zotit që na ka bërë” (Psalmi 95:1-6). “Bini përmbys përpara Zotit në shkëlqimin e shenjtërisë së tij, dridhuni para tij, o banorë të të gjithë tokës” (Psalmi 96:9).

Gjestet e jashtme të adhurimit përmblidhen në dy veprime: përmbysja deri në tokë edhe puthja e objekteve të shenjta. Njëra dhe tjetra marrin te adhurimi formën e tyre të shenjtëruar, por lidhen përherë me lëvizjen spontane të krijesës të ndarë mes frikës dhe magjepsjes së mrekulluar përpara Perëndisë.

Për t’i puthur idhujt e tyre paganët e çonin dorën te goja duke thënë ados/adorare=adhuroj qiejt (perënditë). Ata shprehnin kështu në të njëjtën kohë dëshirën e tyre për të prekur zotat dhe largësinë që i ndante prej tyre, por kjo puthje adhuruese ishte e ndaluar për besimtarin monoteist të Izraelit, sepse sipas Ligjit Mozaik një është Perëndia i vërtete dhe vetëm atij i takon adhurimi: “Unë jam Zoti Perëndia yt… Nuk do të kesh Zot tjetër para meje” (Eksodi 20:2-3), “sepse gjithë perënditë e kombeve janë idhuj, por Zoti ka bërë qiejtë ” (Psalmi 96:5).

Jobi i drejtë i cili pohonte ndershmërinë e tij morale në lidhje me Perëndinë thoshte para atyre që e gjykonin: “Në qoftë se kam shikuar diellin kur shkëlqen, ose hënën që shkonte përpara duke ndritur, dhe zemra ime u mashtrua tinëz dhe goja ime puthi dorën time edhe ky do të ishte një faj i rëndë që duhet të dënohet nga gjyqtarët, sepse do të kisha mohuar Perëndinë që rri aty lartë” (Jobi 31:26-27).

Prandaj ligji e ndalon rreptësisht tek populli i Izraelit çdo gjest adhurimi ndaj çdokujt edhe gjëje që mund të konsiderohet një vlerë hyjnore dhe rivale ndaj Zotit, ashtu si kosinderoheshin për paganët trupat qiellorë, fenomenet natyrore, mbretërit njerëzorë: “sepse duke ngritur sytë në qiell dhe duke parë diellin, hënën, yjet, të tëra, domethënë tërë ushtrinë qiellore, ti të mos nxitesh të biesh përmbys përpara këtyre gjërave dhe t`u shërbesh, gjërave që Zoti, Perëndia yt, u ka dhënë tërë popujve që ndodhen nën të gjithë qiejtë” (Ligji i Përtërirë 4:19). Ligji ishte i qartë dhe në dënimet që merrnin në breza ata që adhuronin krijesën në vend të Krijuesit: “Nuk do të kesh perëndi të tjerë para meje. Nuk do të bësh skulpturë ose shëmbëlltyrë të asnjë gjëje që ndodhet aty në qiejt ose këtu poshtë në tokë ose në ujërat nën tokë. Nuk do të përkulesh para tyre dhe as do t`i shërbesh, sepse unë, Zoti, Perëndia yt, jam një Perëndi xheloz që dënon padrejtësinë e etërve mbi fëmijët e tyre deri në brezin e tretë dhe të katërt të atyre që më urrejnë” (Eksodi 20:3-5).

Sa herë që Izraeli e bëri këtë adhurim idhujsh, nxiti xhelozinë e Zotit edhe u ndëshkua në mënyrë shëmbullore :“Atëherë Perëndia u tërhoq dhe i la t’i shërbejnë ushtrisë së qiellit, ashtu siç është shkruar në librin e profetëve: ‘O shtëpi e Izraelit, a më keni kushtuar flijime dhe olokauste për dyzet vjet në shkretëtirë? Apo më shumë mbartët çadrën e Molokut dhe yllin e perëndisë suaj Remfan, imazhe që i bëtë vetë për t’i adhuruar; për këtë arsye unë do t’ju shpërngul përtej Babilonisë” (Veprat e Apostujve 7:42-43).

Po ashtu kemi edhe heronj të besimit që nuk pranuan të adhurojnë idhujt e mbretërve paganë, ose edhe vetëshpalljen e tyre si zota. Në librin e Danielit( 605-536 prK) na tregohet për tre djemtë hebrenj që nuk adhuruan shtatoren e artë të mbretit Nabukodonosor, ata me besim dhe guxim tek Perëndia i thanë mbretit: “Ne nuk do t’u shërbejmë perëndive të tua dhe nuk do të adhurojmë figurën e artë që ti ke ngritur” (Danieli 3:18). Tek libri i Esterit ( 470-424 prK) na thuhet: “Tërë shërbëtorët e mbretit që rrinin te porta e mbretit përkuleshin dhe binin përmbys para Hamanit, sepse kështu kishte urdhëruar mbreti për të. Por Mardokeu as përkulej, as binte përmbys as e adhuronte… Kur Hamani pa që Mardokeu nuk përkulej as binte përmbys para tij, u zemërua shumë” (Ester 3:2-5)

Adhurimi i idhujve dhe mbretërve njerëzorë ishte mashtrim i djallit që duke shfrytëzuar padijen, pasionet dhe lakminë e njerëzve, i nxiste ata të adhuronin idhujt dhe veten, por në të vërtetë adhuronin djallin e fshehur brenda idhujve dhe brenda zemrës së njeriut të mbushur me krenari eusforike, prandaj kur djalli e tundoi Jisu Krishtin, Birin e Perëndisë dhe Birin e njeriut që të adhuronte atë : “Djalli e çoi sërish mbi një mal shumë të lartë dhe i tregoi të gjitha mbretëritë e botës dhe lavdinë e tyre,dhe i tha: “Unë do të t`i jap të gjitha këto, nëse ti bie përmbys para meje dhe më adhuron”.Atëherë Jezusi i tha: “Shporru, Satan, sepse është shkruar: “Adhuro Zotin, Perëndinë tënde, dhe shërbeji vetëm atij”“.”(Mattheu 4: 8-10).

Por Jisu Krishti që është Perëndi-Njeri, i njëjti me Atin, tha për veten : “Unë dhe Ati jemi një” (Joani 10:30), “që të gjithë ta nderojnë Birin ashtu siç nderojnë Atin; kush nuk e nderon Birin, nuk nderon Atin që e ka dërguar” (Joani 5:23), kështu adhurimi i ruajtur për të vetmin Perëndi, është ruajtur edhe për Krishtin, Birin e Perëndisë, gjë e cila ishte “skandal për judenjtë dhe marrëzi për grekët” (1 Korinthianëve 1:23).

Por adhurimi Krishtit iu bë që foshnjë nga magët që përfaqësonin kombet. “Ku është mbreti i Judenjve, që ka lindur? Sepse pamë yllin e tij në Lindje dhe erdhëm për ta adhuruar… Dhe, mbasi hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marien, nënën e tij, dhe ranë përmbys dhe e adhuruan” (Mateu 2:2,11). Dhe mbasi Krishti u ngjall, e adhuaruan edhe judejntë: “kur e panë, e adhuruan; por disa dyshuan.” “Edhe ata si iu falën atij, u kthyen në Jerusalem me gëzim të madh” (Lluka 24. “52,) Apostujt, të dërguarit e Zotit Krisht, shpallën që në fillim izraelitëve: “Ta dijë, pra, me siguri, gjithë shtëpia e Izraelit se atë Jisu që ju e keni kryqëzuar, Perëndia e ka bërë Zot e Krisht” (Veprat e Apostujve 2:36) dhe gjithë njerëzimit nga të gjithë kombet: “Në emër të tij çdo gjë përkulet mbi qiell mbi tokë e në ferr”, “prandaj edhe Perëndia e lartësoi madhërisht dhe i dha një emër që është përmbi çdo emër që në emër të tij të përkulet çdo gju dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krisht është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filipianëve 2:11).

Ndryshe nga paganët të krishterët përveç adhurimit të Perëndisë Triadik, Atin me Birin edhe Shpirtin e Shenjtë nuk adhuronin asgjë tjetër,as apostujt e Krishtit, as njerëzit e shenjtë, madje as ëngjëjt. Në Dhiatën e Re na jepen këto dëshmi: “Edhe rashë përpara këmbëve të tij (engjëllit) për ta adhuruar, por ai më tha: ‘Shiko se mos e bën. Unë jam bashkëpunëtori yt dhe i vëllezërve të tu që kanë dëshminë e Jisuit. Perëndisë falju!” (Zbulesa 19:10). “Kur hyri Pjetri, Korneli i doli para, i ra ndër këmbë dhe e adhuroi. Por Pjetri e ngriti duke thënë : ‘Çohu edhe unë jam njeri” ( Veprat e Apostujve 10:25-26).

Të krishterët duke rrëfyer adhurimin e tyre vetëm në Jisu Krishtin, Mbretin e Mbretërve edhe Zotin e Zotëve, arritën t’i kundërvihen hapur kultit të çezarve që i atribuonin vetes atribute perëndie, ndërsa ishin thjesht njerëz të vdekshëm. Këta mbretër delirantë që kërkonin adhurimin e Zotit, janë pararendësit e antikrishtit, i cili pritet të vijë në fundin e kohërave. Ai i paudhi, biri i humbjes i mbushur me satanain do të kërkojë nga njerëzit me mashtim dhe me dhunë psiqike dhe fizike adhurimin që i takon Perëndisë: “Pastaj pashë një bishë tjetër, që ngjitej nga dheu, dhe kishte dy brirë që u ngjanin atyre të qengjit, por fliste si një dragua… Edhe bënte shenja të mëdha, sa që edhe zjarr bënte të zbriste nga qielli mbi dhé në prani të njerëzve, dhe i mashtronte banorët e dheut me anë të shenjave që i ishin dhënë për të bërë përpara bishës… edhe të bëjë që të gjithë ata të cilët nuk e adhuronin figurën e bishës, të vriteshin” (Zbulesa 13:4-15). Përsëri Zbulesa paralajmëron: “Edhe një engjëll i tretë shkoi prapa tyre, duke thënë me zë të madh: “Kush t’i falet bishës dhe ikonës së saj, edhe të marrë shenjën mbi ballin e tij ose mbi dorën e tij, edhe ai do të pijë nga vera e zemërimit të Perëndisë” (Zbulesa 14:9).

Adhuruesit e vërtetë të Krishtit, nuk kanë më nevojë të adhurojnë në një vend apo në një gjuhë si një religjon nacionalist ashtu siç bënin judenjtë, por ata siç Krishti mësoi janë urdhëruar të adhurojnë në çdo vend si edhe në çdo gjuhë: “Por vjen ora, madje ajo ka ardhur, që adhuruesit e vërtetë ta adhurojnë Atin në frymë dhe në të vërtetë, sepse të tillë janë adhuruesit që kërkon Ati” (Joani 4:20-23).

Adhurimi i vërtetë dhe në Frymë kryhet në Tempullin e vetëm, që i pëlqen Atit në trupin e Krishtit të ngjallur që në tokë është Kisha Apostolike ku prej shekujsh kryet adhurim i vërtetë drejtuar Atit Perëndi, me anë të të vërtetit Krishtit në Frymën e Shenjtë, prandaj dhe Kisha Orthodhokse si trupi mistik i Krishtit lutet çdo ditë dhe i drejton këtë thirrje adhuruese Perëndisë: “Ty të përket tërë lavdia, nderi edhe adhurimi, Atit, Birit edhe Shpirtit të Shenjtë, tani e përherë e në jetë të jetë. Amin”.

Ky adhurim vazhdon përjetësisht në qiejt ku nuk do të ketë më tempull. “Dhe nuk pashë asnjë tempull në të; sepse Zoti Perëndi i plotfuqishëm dhe Qengji (Krishti) janë tempulli i tij” (Zbulesa 21:22), “as ditën as natën nuk do të shuhet adhurimi ndaj Perëndisë dhe do t’i jepet nder e lavdi Atij që jeton në shekuj të shekujve”. (Zbulesa 4:10).

Prandaj duke u informuar saktë nga Shkrimi i Shenjtë duhet pasur shumë kujdes në përdorimin e fjalës “adhuroj”. Kujt ia adresojmë? Nëqoftëse nuk i adresohet Zotit, por krijesave të tij, atëherë nxisim xhelozinë e Zotit, i Cili nuk pranon rival nga krijesat, njerëzit, objektet, apo çdo gjë sa do të dashura të jenë për ne.

Shën Pais Agjoriti (1924-1994) që ndihmoi shumë njerëz që të korrigjonin gabimet e tyre ndaj Zotit dhe ndaj njerëzve, tregon këtë ngjarje shumë domethënëse për çështjen në fjalë: “Një herë erdhi në Kalivë (vendi ku jetonte) dikush dhe më tha se kishte probleme me gruan e tij. Shkonin drejt ndarjes. Nuk donin as ta shihnin njëri-tjetrin. Ishin të dy mësues dhe kishin dy fëmijë. Nuk hanin asnjëherë në shtëpi. Në restorant tjetër drekonte njeri mbas mësimit, në restorant tjetër tjetri. Fëmijët e mjerë kur ktheheshin në shtëpi, shkonin dhe kërkonin në xhepat dhe çantat e prindërve, për të parë se çfarë do të hanin. Po jetonin një tragjedi. Ai bënte edhe psaltin. Në tjetër kishë shkonte gruaja, në tjetër kishë shkonte ai. “Çfarë të bëj, o Atë”, më tha. “Kam kryq të rendë. Çdo ditë kemi debate në shtëpi”. -“Shkove tek Ati Shpirtëror?”, e pyeta. “Po shkova dhe më tha: ‘Duhet të besh durim sepse ke kryq të madh për të ngritur”. -“Ja të shohim nese po ngre kryq të rendë”, i thashë. “Le t’i kapim gjërat nga fillimi. Kur u martuat, kështu ziheshit?”. -“Jo, atë. Tetë vjet ishim shumë të dashur. E adhuroja gruan më shumë se Perëndinë! Pastaj ajo ndryshoi. U bë grindavece, zevzeke…”. A dëgjon? E adhuronte gruan më shumë se Perëndinë! -“Pa eja këtu, i thashë. Adhuroje gruan tënde më shumë se Perëndinë! Gruaja jote e ka fajin apo ti, që arritët në këtë situatë? Për fajin tënd Perëndia ia mori Hirin e Zotit gruas. Dhe çfarë mendon të bësh?”, e pyeta. “Ndoshta do të ndahemi”, më tha. “Mos je lidhur me ndonjë tjetër?”. “Po, kam njërën ndërmend”, më tha. “A e kupton që je ti fajtori? Së pari të kërkosh falje nga Perëndia, sepse adhuroje gruan tënde më shume se Atë. Pastaj të shkosh t’i kërkosh falje gruas tënde. Të më falësh, t’i thuash, sepse unë u bëra shkak i krijimit të kësaj situate në shtëpi dhe po torturohen fëmijët tanë. Pastaj të shkosh të rrëfehesh dhe të adhurosh Perëndinë si Perëndi dhe të dashurosh gruan tënde si gruan tënde, dhe do të shikosh se çdo gjë do të shkojë mirë”. E trondita. Nisi të qajë. Me premtoi se do të vepronte kështu. Erdhi pas ca kohe i lumtur. “Faleminderit, atë, na shpëtove”, më tha. “Jemi mirë dhe ne dhe fëmijët tanë”.

*Përgjegjësi i Zyrës Katekizmit pranë Kryepiskopatës KOASH-it Tiranë.