Sport Perez dyshon te aftësitë e Zidane, nis kontaktet me Mourinho-n

Perez dyshon te aftësitë e Zidane, nis kontaktet me Mourinho-n

Pas një sezoni mjaft të “turbullt”, ku kishte ndërruar dy trajnerë, Florentino Perez vendosi më 11 mars të këtij viti, të rikthejë në pankinë trajnerin 3 herë radhazi kampion Europe me “Los Blancos”, Zinedine Zidane.

Numri një i klubit madrilen i ofroi trajnerit francez një kontratë të vlefshme deri në fund të vitit 2022 dhe i premtoi dorë të lirë në merkato, për të reformuar skuadrën dhe për ta rikthyer sërish te sukseset në Spanjë dhe Europë.

Menjëherë pas rikthimit të Zidane, Perez “zgjidhi qesen” për t’i plotësuar dëshirat trajnerit të ri dhe bleu menjëherë mbrojtësin brazilian Eder Militao nga Porto, ndërsa që në ditët e para të merkatos verore solli në Madrid Eden Hazard, Luca Joviç, Rodrygo dhe Ferland Mendy.

Synimi ishte i qartë, t’i plotësojë sa më shpejt trajnerit të ri organikën, për të nisur punën për ringritjen e skuadrës në majat e Europës, por kur jemi vetëm 20 ditë para startit të kampionatit, situata në kampin madrilen nuk është aspak e qetë.

Në fakt Zidane që në sezonin e kaluar nuk arriti të ndryshojë situatën në skuadër, duke marrë sërish rezultate të dobëta, por që u justifikuan me idenë se po punohej për sezonin e ardhshëm, megjithatë deri tani gjithçka është zhgënjyese.

Madrilenët kanë zhvilluar 3 ndeshje miqësore në International Champions Cup, dy prej të cilave i kanë humbur përballë Bayern Munchen dhe Atletico Madrid, ndërsa njërën ndaj Arsenalit e fituan me penallti, pasi koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2.

Megjithatë kulmi i momentin të keq ishte mbrëmjen e djeshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur humbën me rezultatin e thellë 7-3 në derbin përballë Atleticos së Madridit, teksa ndonëse bëhej fjalë për një miqësore, kjo disfatë nuk u prit aspak mirë nga tifozeria.

Në tre ndeshje Reali ka pësuar 12 gola dhe ka shënuar gjysmën e kësaj shifre, ndërsa loja ka qenë vërtetë zhgënjyese, me blerjet e reja që nuk po shfaqen në lartësinë e duhur dhe me dëmtimet e shumta, që rrezikojnë të kompromentojnë startin e sezonit.

Marcos Asensio pritet të mungojë më tepër se 6 muaj, Ferland Mendy pritet të rikthehet vetëm në mesin e muajit shtator, ndërsa listës së dëmtimeve u janë shtuar edhe Brahima Diaz e Luka Joviç.

Kaq ka mjaftuar që ndaj stafit të Zidane të shpërthejnë kritika mbi mënyrën se si po e përgatit skuadrën dhe ngarkesën që po u jep futbollistëve në stërvitje, ndërsa në kokën e Florentino Perez janë krijuar dyshimet mbi aftësitë e francezit për të rikthyer madrilenët te suksesi.

Në Spanjë këmbëngulin se Perez ka menduar edhe shkarkimin e Zidane, ndërsa kanë nisur kontaktet e para me një tjetër ish-trajner të Realit të Madridit, portugezin Jose Mourinho, i cili aktualisht është i papunë dhe në pritje të ofertave.

Për momentin gjithçka është në kuadrin e thashethemeve, por e sigurt është që situata në kampin madrilen nuk është aspak e duhura dhe se Florentino Perez njihet si një president që nuk u jep shumë kohë trajnerëve të tij, për të përmirësuar ekipin.

Pikërisht për këtë arsye, Zidane duhet të ndërhyjë me “dorë të fortë” për të ndryshuar fytyrën e ekipit dhe për t’u rikthyer te loja e bukur e rezultatet pozitive, pasi në Madrid nuk kanë ndërmend të çojnë dëm një tjetër sezon dhe mund të ndërhyjnë pa ikur ende vera.