Aktualitet Përfundojnë gërmimet e tunelit të Llogarasë, Balluku: E dorëzojmë në 2024

Përfundojnë gërmimet e tunelit të Llogarasë, Balluku: E dorëzojmë në 2024

Kryeministri Edi Rama njoftoi se kanë përfunduar gërmimet e tunelit të Llogarasë, një segment rreth 6 kilometra i gjatë që do të shkurtojë rrugën për në plazhet e jugut të vendit.

“Tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”, tha Rama në një postim në Facebook teksa postoi videon e momentit kur u hap përfundimisht tuneli.

“Kjo është një vepër e madhe me një tunel tjetër ndihmës me 11 pjesë lidhëse. Shpresoj që edhe në këtë një vit e gjysmë që na ka mbetur punët të ecin mirë dhe unë shpresoj që me 1 qershor të 2024-s tuneli i Llogarasë të jetë i aksesueshëm për të gjithë qytetarët”, tha ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Puna për ndërtimin e tunelit të Llogarasë nisi në nëntor 2021, ku kreu i qeverisë së bashku me ministren Balluku njoftuan se ky tunelit parashikon të lidhë në shtatë minuta Orikumin dhe Palasën, si edhe në të ardhura dhe rritje të turizmit.