Aktualitet Përfundon në plehra globi i famshëm në qendër të Fierit, kushtoi 40...

Përfundon në plehra globi i famshëm në qendër të Fierit, kushtoi 40 mijë euro

Shtatë vjet më parë kushtoi 40 mijë euro, por sot po përfundon në plehra. Simboli i Europës në qendër të Fierit ose globi, sikurse quhej nga qytetarët, po çmontohet.

Në kuadër të rehabilitimit të qendrës, Bashkia ka vendosur ta zëvendësojë këtë objekt me një vepër tjetër simbolike.

Globi i Fierit u ndërtua në vitin 2012 ideuar nga Fate Velaj dhe sponsorizuar nga kompania Albstar në vlerën e 40 mijë eurove.

Globi prej hekuri shërbeu më tepër si sinjalistikë orientuese sesa si simbolikë.

Kjo e fundit synonte të jepte idenë e përkatësisë europiane të shqiptarëve, por dështoi në përcjelljen e mesazhit.

Që prej instalimit të atij që supozohej të ishte vepër arti, pjesët metalike u ndryshkën duke i dhënë një pamje të pakëndshme qendrës së qytetit.

Me zhvendosjen e globit, bashkia e Fierit synon ti japë qendrës një pamje të re, por duke e ruajtur idenë fillestare atë të Shqipërisë si pjesë natyrale e Europës.

Një konkurs që pritet të mbahet së shpejti do të përcaktojë objektin që do të zëvendësojë globin e dikurshëm.