Politika “Përgjegjësit do ta paguajnë”, Meta i kërkon Bashës të ruajë qetësinë

“Përgjegjësit do ta paguajnë”, Meta i kërkon Bashës të ruajë qetësinë

Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim, kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Ai e cilësoi takimin “bashkim për Kushtetutën dhe integrimin evropian të Shqipërisë”.

Fillimisht Meta e ka falënderuar Bashën për bashkëpunimin gjatë pandemisë me pjesëmarrjen në mbledhjet e Këshillit të Sigurisë dhe për “mosrënien pre për largimin nga tryeza zgjedhore pas shembjes së Teatrit Kombëtar”.

Më pas Presidenti i ka kërkuar Bashës që t’i qëndrojë “besnik marrëveshjes së 5 qershorit, firmosur me mazhorancën dhe të ruajë qetësinë në këto momente kur ka përpjekje për të cenuar rëndë Kushtetutën e vendit në mënyrë kriminale”.

“Keni rol të rëndësishëm me qetësi dhe përgjegjshmërinë tuaj për të bashkëpunuar edhe me partnerët evropianë dhe botën demokratike se e kam theksuar se gjatë krizave artificiale në vendin tonë se konfliktet në Shqipëri nuk janë të rastësishme sa herë ka zhvillime në rajon, jini të vetëpërmbajtur”, është shprehur Meta duke theksuar kundërshtitë e tij për ato që i quajti “aventura me Kushtetutën”.

Në fjalën e tij Basha e ka konsideruar të paprecedentë thyerjen e marrëveshjes së 5 qershorit nga socialistët, por dhe propozimin për të ndryshuar Kushtetutën.

“Duke u fshehur pas një numër deputetësh të ashtuquajtur parlamentarë Kryeministri ka vendosur të hedhë në kosh marrëveshjen dhe të ndryshojë Kushtetutën. Nëse këto ndryshime ndodhin, do jemi vendi i dytë pas Rusisë që ndodhin ndryshime në kohë COVID-19, faturë e cila do jetë shumë e rëndë, por do të bëjmë që përgjegjësit ta paguajnë”, tha Basha.