Aktualitet Përgjimet e autorëve të vrasjes së Kurtit: Kur do i marrim lekët

Përgjimet e autorëve të vrasjes së Kurtit: Kur do i marrim lekët

Për të shkuar tek personat që u arrestuan për vrasjen e Jurgen Kurit, policia ka grumbulluar mbi 50 kamera sigurie nga liqeni deri tek “Pallati me Shigjeta”, njoftuan televizionet informative.

Sipas po këtyre burimeve, në pamjet e grumbulluara nga policia janë zbuluar katër të rinjtë dhe lidhjet mes tyre. Në drejtim të makinës ka qënë i shpalluri në kërkim, 21-vjeçari, Elsi Leventi dhe dyshohet se ai i ka njoftuar atenatorët për mbërritjen në banesë të Jurgen Kurtit. Në kamera dallohet se pas atentatit ata janë takuar.

Pas identifikimit të personave janë vënë në përgjim dhe janë arrestuar, por para policisë ata mohuan të kenë lidhje me ngjarjen.

Policia ende nuk ka një motiv për ngjarjen, i cili ka çuar në vrasjen e Jurgen Kurtit, ndërsa sipas “Balkanweb”mësohet se gjatë kohës që ishin në përgjim mes njëri-tjetrit të rinjtë kanë folur për një shumë parash që do të merrnin për “punën” e kryer.

“Ke folur për ato lekët?”, “Kur do i marrim ato lekët?”

Këto janë disa prej bisedave të përgjuara mes tyre.

Kush është viktima dhe si u vra?

Jurgen Kurti u vra disa ditë më parë në kryeqytet pranë një noterie në rrugën “Zef Jubani”. 26-vjeçari i njohur si menaxheri i VIP-ave u qëllua për vdekje me breshëri plumbash nga dy persona të maskuar të cilët kanë ikur me shpejtësi pa mundur të identifikoheshin.

Ai është një emër i njohur për drejtësinë, por edhe për opinionin publik. 26-vjeçari ka qenë protagonist në dy vrasje. Në 2016 ai u arrestua së bashku me dajën Leonad Ristani  për vrasjen e babait të Jurgenit, Artur Kurti.

Por daja mori përsipër autorësinë e vrasjes  dhe Jurgeni u lirua.

Një vit më vonë ai do të përfshihej në një tjetër ngjarje, kësaj here për vrasjen e pronarit të një picerie në Durrës, Agim Arapi. Ai u arrestua së bashku me vjehrrin e tij, Konstadin Ekonomi dhe vëllanë e tij, Kujtim Ekonomi për vrasjen për motive pronësie.

Por pas verifikimit të pamjeve filmike e provave në vendin e ngjarjes rezultoi se vrasja është realizuar nga dy vëllezërit Ekonomi për motive të dobëta, ndërkohë që dhëndri i njërit prej vëllezërve, Jurgen Kurti nuk ka qenë i përfshirë në ngjarjen e rëndë, kështu që u lirua.