Politika Përgjimet e “Bild”, Basha: Ndërkombëtarët hoqën çdo dyshim për pushtetin e Ramës

Përgjimet e “Bild”, Basha: Ndërkombëtarët hoqën çdo dyshim për pushtetin e Ramës

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas shkrimit të “Bild” dhe thotë se tanimë ndërkombëtarët hoqën çdo dyshim për pushtetin e Ramës.

“Përgjimet e publikuara nga gazeta prestigjioze BILD kanë tronditur sot shumë shqiptarë dhe shumë miq të huaj, të cilët kanë hequr çdo dyshim se për të mbajtur pushtetin e kalbëzuar nga korrupsioni, Edi Rama ka bërë pakt me krimin, ka blerë vota nëpërmjet bandave dhe trafikantëve ndërkombëtarë të drogës.

6 përgjimet e publikuara nga media gjermane si pjesë e dosjes 339/1 janë radiografia e pushtetit mafioz dhe ilegjitim të Edi Ramës.

Bisedat tregojnë fuqinë e krimit të organizuar:

  • Për të ndikuar në emërimin e deputetëve dhe të kryebashkiakëve të PS.
  • Për të blerë votat për llogari të Edi Ramës sipas objektivit të caktuar prej tij.
  • Për të urdhëruar administratën publike të identifikojë kundërshtarët politikë të Edi Ramës, që t’i kërcënojë për votën e tyre.
  • Për të marrë favore shtetërore në kundërshtim me ligjin.
  • Për t’u informuar për axhendën politike brenda dhe jashtë vendit të kryeministrit.

Përgjimet që mbahen peng nga prokuroria e kontrolluar prej Edi Ramës, janë konfirmim i pakundërshtueshëm se:

  • Parlamenti i dalë nga zgjedhjet e vitit 2017 është produkt i krimit të organizuar.
  • Qeveria e Edi Ramës është ilegjitime.
  • Me Edi Ramën nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme.

Përgjimet e publikuara nga BILD janë tregues i historisë politike të Edi Ramës: ai ka ardhur në pushtet nga krimi dhe e mban pushtetin me krimin e për krimin.

Sot më shumë se kurrë, vendi ka nevojë për zgjidhje politike, e cila kalon përmes largimit të kryeministrit ilegjitim Edi Rama, krijimin e një qeverie tranzitore, që të garantojë zgjedhje të lira e të ndershme”, shkruan Basha në Facebook.