Politika Përgjimet me “çimka”, Prokuroria kundër Ministrisë së Brendshme

Përgjimet me “çimka”, Prokuroria kundër Ministrisë së Brendshme

Prokuroria e Përgjithshme është kundër nismës së qeverisë për ndryshimet ne ligjin për Policinë e Shtetit, që lejon uniformat blu të kryejnë përgjime ambientale dhe të bëjnë hetime.

Në tavolinat e deputetëve të Komisionit të Ligjeve dhe atij të Sigurisë, ndodhet opinioni i Prokurorisë së Përgjithshme, ku pasi analizohen nenet e projektligjit, sugjerohet mosmiratimin e tyre.

Kundërshtitë e Prokurorisë fillojnë që në nenin e parë të projektligjit nëpërmjet të cilit Policisë së Shtetit i jepet e drejta e hetimit gjë që në legjislacionin aktual është ekskluzivitet i organit të akuzës. Debati më i fortë për këtë ligj është dhënia e kompetencave policisë që të kryejë përgjime në kuadër të hetimit policor, gjë që aktualisht mund të kryhet vetëm me autorizimin e Prokurorit.

Në opinion theksohet se termi “procedim policor” përbën shkelje flagrante të Kodit të Procedurës Penale me pasoja pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve të përftuara prej tyre” ku përfshihen edhe përgjimet.

Për këto arsye, Prokuroria e Përgjithshme ka kërkuar mosmiratimin e neneve të projektligjit i cili mbrohet me ngulm nga ana e ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj. Krahas debatit juridik, deputetët kanë ngritur si shqetësim edhe çështjen e dhunimit të të drejtave të njeriut, raporton EuroNews Albania.