Aktualitet Përgjimi/ Moisi Habilaj miqësi me mafiozin e Cosa Nostra-s

Përgjimi/ Moisi Habilaj miqësi me mafiozin e Cosa Nostra-s

Moisi Habilaj, shqiptari i dënuar me 15 vite burg dhe në kërkim për trafik droge është rikthyer sërish në vëmendjen e mediave italiane, të cilat publikuan një përgjim, ku ai shfaqet duke bërë ndërmjetësuesin mes dy shqiptarëve të arrestuar dhe mafiozit Natalino Niza të Cosa Nostra-s.

Në një artikull të “Meridionews”, shfaqet një përgjim i regjistruar brenda një makine BMVV X3 në 9 Prill të 2019, mes Julian Hoxhaj dhe Indrit Karafilit dhe një të riu nga Katania. Sipas regjistrimit Natalino Niza i ka kërkuar Habilajt 30-40 kg kanabis dhe për këtë ai i ka lidhur me dy shqiptarët.

Gjatë përgjimit diskutohet për biznes, furnizimet me drogë dhe çmimet si dhe miqësinë e veçantë që Moisiu ka krijuar në korridoret e burgut Binocca.

“Ata e braktisën atje, pa para dhe rroba. Natalino i dha para, rroba dhe kur mori paratë, Moisiu i bleu një kostum të Juventusit”, është një pjesë e bisedës.

Dy shqiptarët Julian Hoxhaj dhe Indrit Karafili u arrestuan gjatë operacionit të së martës në Katania, ku u goditën dy banda italo-kolumbiane të trafikut të drogës. Në aksionin ku u angazhuan më shumë se 100 efektivë policie nga Guardia di Finanza dhe njësi të tjera, u sekuestruan 365 kg lëndë narkotike e llojit marijuanë dhe kokainë.

Në përgjimet e publikuara nga “Meridionews”, një nga bisedat më interesante të kapura mes njërit prej pjesëtarëve shqiptarë të grupit kriminal si edhe bashkëpunëtorit të tij kolumbian, rinxjerr në skenë zhvillimet e trafikut të drogës në periudhën 2016-2019 në Shqipëri.

“Trafikimi i marijuanës në Shqipëri është i paligjshëm prej tre vitesh, që kur erdhi ai copë muti… Deri para tre vitesh ishte kështu…10 përqind e merrte shteti”, shpjegonte Karafili në një dialog që daton në vitin 2019. Megjithatë, nuk është e qartë se kujt i referohet Indrit Karafili në përgjimet e publikuara.

Habilaj, i dënuar në shkallën e dytë me 15 vjet burg, është arratisur nga 9 Janari 2021 duke u larguar nga banesa ku qëndronte në masën e sigurisë “arrest shtëpie”. Ndërkohë një javë më parë, gjykata speciale dënoi me 10 vite burg për veprat penale trafik droge dhe grupi i strukturuar kriminal, nga 15 vite që kishte kërkuar SPAK.