Politika Përjashtimi i Berishës, Basha mbledh deputetët besnikë

Përjashtimi i Berishës, Basha mbledh deputetët besnikë

Frika e një furtune nga ana e Sali Berishës në selinë blu duket se e ka vënë në pozita aspak komode Lulzim Bashën, i cili që prej marrjes së vendimit të tij personal ka nxituar të takohet me të gjitha strukturat e partisë.

Sot, Basha ka zhvilluar një takim me disa prej përfaqësuesve të kryesisë së grupit, që njihen si më të besuarit e tij dhe njëherazi mbështetës të qëndrimit për përjashtimin nga grupi parlamentar i demokratëve të Sali Berishës.

Në sy ra mungesa e disa deputetëve, mes të cilëve, Oerd Bylykbashit, Flamur Nokës, Albana Vokshit dhe Luçiano Boçit, të cilët pak ditë më parë gjatë mbledhjes së grupit e cilësuan në shkelje të statutit vendimmarrjen e kryetarit të partisë.

Të kontaktuar nga Televizioni Klan ata thanë se nuk ishin njoftuar për një takim të tillë dhe se po njiheshin nga media me mbledhjen që ishte zhvilluar në selinë blu.

Duket se peshën kryesore të përçimit të mesazhit në opinionin publik Lulzim Basha ia ka deleguar më të besuarve të tij, të cilët edhe pas takimit që patën me të i dolën në mbrojtje për përjashtimin e liderit historik Sali Berisha nga grupi parlamentar.

“Nuk është çështja ishte vendim i drejtë apo i gabuar, por nuk kishte mundësi tjetër Lulzim Basha dhe Partia Demokratike. Ishte shtegu i vetëm për të kaluar. Unë e kam thënë që Sali Berisha është personalitet i madh politik, betejat që mund të bëjë Sali Berisha për statut nuk janë beteja të kalibrit të tij, janë beteja të vogla”, tha Gjekmarkaj.

Sipas televizionit Klan, Basha iu ka kërkuar deputetëve që të mos i shmangen mediave, por të sqarojnë opinionin publik dhe militantët e partisë, me qëllim shmangien e një përçarjeje brenda radhëve të demokratëve.